Aleatët e socialistëve në koalicion nuk e kanë pranuar kërkesën që në procedurën e zgjedhjes së kanditatëve të tyre, të zbatojnë të njëjtat kritere. Gjinushi është shprehur se edhe ligji elektoral nuk favorizon paraqitjen me kandidat të përbashkët përpara elektoratit.
“Kjo njëherë teorikisht nuk pranohet. S’ka kritere të detyrueshme të një partie ndaj një partie tjetër. Nëse partitë pastaj bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe duan të përfitojnë nga përvoja, është gjë tjetër. Nuk dua të zbuloj taktikat elektorale sepse është pikërisht kjo lidhje që bëhet midis partive mazhoraritare dhe proporcionale që e bëjnë ligjin kryesisht proporcional, por që i bën taktikat elektorale tepër të sofistikuara.”
Ai nuk ka dhënë detaje për takimin me Presidentin Mejdani, por ka paralajmëruar KQZ-në të mos rishikojë rezultatet e 1 tetorit për krijimin e komisioneve zgjedhore të qeverisjes vendore. Edhe aleati Melo ka të njëjtat pikëpamje të cilat do t’i paraqesë javën e ardhshme në tryezën e koalicionit.
“Nëse do të ketë kandidat të përbashkët aty pastaj sigurisht që mund t’i shikojmë, por unë mendoj se nuk ka sesi kriteret t’i vendosë një parti dhe për partitë e tjera. Çdo parti mund të vendosë kriteret e saj dhe nuk ka sesi të jetë e detyrueshme që të vendosë kriteret e një partie tjetër.“/tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame