Skënder Haluca: “Qëllimi i burgimit është që t’i rehabilitojë dhe t’i bëjë të aftë qytetarët që mbas kryerjes së dënimit të kthehen në qytetar të denjë të Republikës së Shqipërisë. Mbajtja në këto ambiente dëmton rëndë shëndetin e tyre, gjendjen fizike dhe gjendjen mendore të këtyre të paraburgosurve. Këta njerëz në ato kushte nuk mund të rehabilitohen”.
Një fakt, i cili vesh me përgjegjësi ligjore, ky qoftë administratën e burgjeve, qoftë prokurorin dhe gjyqësorin që në mënyrë të papërgjegjshme harron se ka në përgjegjësi individë me procedime penale që presin të hetohen dhe gjykohen duke e kaluar çdo normë jetese.
Skënder Haluca: “Në paraburgimin e qytetit të Bajram Currit ndodheshin rreth 40 të paraburgosur nga 13 persona që është kapaciteti i këtij paraburgimi. Është një paraburgim që nga vitet ’60 që nuk është bërë asnjë lloj investimi”.
Skënder Haluca, me detyrën zv/avokat populli është personi që ka drejtuar gjatë një inspektimi të hollësishëm detaje të mbijetesës së të paraburgosurve në Tropojë.
Skënder Haluca: “Jeta dhe trajtimi i këtyre personave është shumë e rrezikuar si nga ana e shëndetit mendor dhe nga ana e shëndetit fizik. Këtu nuk rrezikohet mirëqenia shëndetësore e vetëm e të burgosurve, por edhe e stafit dhe personelit, i cili shërben në ato ambiente”.
Skandali më i fundit në paraburgim në rrethe ishte ai i Shkodrës ku një i paraburgosur mbahej në qeli pa vendim gjykate.
Vetë Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, e cilësoi këtë rast si skandaloz duke kërkuar marrjen në përgjegjësi penale të prokurorëve, të cilët urdhëruan mbajtjen e tij në arrest për 75 ditë./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani