Sot pasdite me kamerën tonë ndoqëm nga afër stërvitjen e ekipit të Partizanit i cili sipas vendimit të stafit drejtues do të tërhiqet nga kampionati. Biseduam me sekretarin e klubit të futbollit Neptun Bajko i cili për Tv Klan tha:
“Mendimi jonë është që futbolli nuk mund të vazhdojë më kështu. Nëse jemi në këtë gjendje, shkaku është tjetër vend dhe Partizani nesër do jetë një ekip tjetër dhe pasnesër një ekip tjetër. Rrugët e ndershme për një futboll dhe kampionat të ndershëm, cilësor, edukativ duke përfshirë brenda dhe ekonominë e tregut dhe qëllimin që ka ky sport në Shqipëri, unë mendoj se janë prishur dhe kanë kohë që janë zhdukur. Ministri Rama dhe stafi i tij filluan një punë shumë të mirë që çuditërisht u la në mes por ne duam ta çojmë këtë punë deri në fund. Për të mirën e futbollit.”
Tekniku i skuadrës Tomorri dhe kapiteni i skuadrës Sokol Meta, u shprehën:
“Unë jam trajner dhe aspektin teknik, skuadrën e kam në stërvitje dhe do pres dhe reagimet e tjera. Ekipi është i gatshëm të stërvitet për të luajtur.”
” Unë si kapiten skuadre i bashkangjitem masës që ka marrë kolektivi, presidenti dhe gjithë stafi drejtues”
Ndërsa një sportdashës i vjetër i Partizanit tha që të bësh bojkot do të thotë të vrasësh veten.
Tani pritet reagimi i Federatës Shqiptare të Futbollit e cila përballet këtë fund kampionati me bojkotin e dytë pas Vllaznisë në takimin me Tomorrin e Beratit./tvklan.al