Shtetet e Bashkuara të Amerikës zhvillojnë sot zgjedhjet presidenciale, një garë mes Kamala Harris e Donald Trump. Deri më tani duket se procesi i votimit po vijon pa probleme dhe qytetarët kanë shfaqur interes.

Gazetarja e VOA, Menada Zaimi në një raportim të drejtpërdrejtë për Tv Klan, thotë se sipas sondazheve e qytetarëve, çështjet më kryesore që këta të fundit evidentojnë janë ekonomia, emigracioni, e drejta e riprodhimit të grave dhe politika e jashtme.

Mbyllja e kutive të votimit ndryshon nga njëri shtet në  tjetrin pasi secili ka procedura të ndryshme, por masat e sigurisë janë të pashembullta.

“Forcat e sigurisë kanë marrë masa mjaft të ashpra sigurie, të pashembullta në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, madje disa media amerikane raportuan që do të vendosen edhe snajpera nëpër  disa çati në pika kyçe ku do të numërohen votat. Pra, procesi i numërimit të votave është ai që ngjall edhe më shumë shqetësimin.Megjithatë zyrtarët e sigurisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë thënë që integriteti i procesit do të ruhet dhe masat e sigurisë do ta garantojnë një gjë të tillë. U kanë bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votime të qetë dhe të mos bien pre e dezinformatave. Nga ana tjetër kanë paralajmëruar që kanë një ndikim të madh nga faktorë të huaj që do të përpiqen të ndikojnë në zgjedhjet amerikane dhe bëhet fjalë këtu për shtete si Rusia, Irani apo Kina”, përfundon Zaimi./tvklan.al