Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Socialistët do të miratojnë në Kuvend kandidaturën e Gjergj Saulit, në krye të Gjykatës Kushtetuese. Nënkryetari i grupit parlamentar socialistë Bardhl Agasi, vlerëson sitë drejtë për zgjedhjen e bërë një ditë më parë nga Presidenti i Republikës.

Bardhyl Agasi: “Duke pasur parasysh, që zoti Sauli është një figurë e njohur si jurist me përvojë dhe tashmë edhe në Gjykatën Kushtetuese, i paraqitur nga presidenti si njeri i paanshëm, larg politikës, larg forcave politike, mund të jetë një figurë e pranueshme, dekreti, emërimi i presidentit”.

Miratimi i kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese, kalon me shumicë të thjeshtë nga minimumi i 71 deputetëve prezent në seancën e votimit. Mbledhja e grupit parlamentar socialist ka diskutuar dhe mbi respektimin e disiplinës të brendshme, e cila sipas disa deputetëve, u thye nga fjalimi kritik, për qeverisjen e ish-kryeministrit Ilir Meta në seancën e fundit parlamentare.

Bardhyl Agasi: “Zoti Meta nuk e kishte emrin për të diskutuar dhe në këtë kuptim u diskutua që ata që japin emrin për të diskutuar duhet të diskutojnë dhe kishte ndodhur një fenomen që ata që kishin dhënë emrin nuk e morën fjalën, gjë që krijon një shtjellim, por natyrisht ne jemi gjithmonë për mendimin ndryshe brenda partisë, por kur të vijmë në një vendim politik, të grupit tonë parlamentar duhet të mbajmë të njëjtin qëndrim”./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj