Kryetarja e Grupit Kuvendor Socialist Valentina Leskaj ka qenë në Gramsh. Leskaj ka deklaruar aty se shqiptarët nuk duhet të besojnë më te Berisha, që mendon vetëm të pasurojë veten dhe ata që e rrethojnë.

Valentina Leskaj: “Kryeministri e ka harruar se ç’është Shqipëria, sepse familja e tij biologjike  dhe politike janë sot njerëzit më të pasur të Shqipërisë, janë njerëzit që kanë okupuar të gjitha pronat dhe pasuritë e këtij vendi. Ka katër vjet që Sali Berisha dhe qeveria e tij thotë flet për liberalizimin e vizave, nuk ka një burrë apo një grua në këtë sallë që të më thotë që ka lehtësi për viza. përkundrazi janë edhe më të vështira.”

Valentina Leskaj foli edhe për programin e socialistëve që ka në bazë të tij zgjidhjen e problemeve të arsimit dhe shëndetësisë.

Anëtari i kryesisë së PS Pandeli Majko ka zgjedhur fshatin Blacë të Korçës për të folur për varfërinë që ka përfshirë vendin.

Pandeli Majko: “Sot qeveritarët deklarojnë se janë rritur rrogat dhe pensionet, por sa është rritur buka, sa është rritur nafta, sa është rritur orizi, sheqeri, sapuni e kështu me radhë dhe pastaj pasi bën llogarinë arrin të kuptosh se megjithëse të janë rritur disa lekë si pensioni apo në bordero atyre që marrin rrogë te shteti, me lekë më shumë blen më pak se sa në 2005”/tvklan.al