Falë presionit të ndërkombëtarëve dhe vetë deputetëve socialistë, kryesocialisti Rama ka vendosur që në seancën e të enjtes 25 Shkurt të dërgojë grupin parlamentar në sallën e Kuvendit për të bërë të vlefshëm mandatet e fituara në 28 Shkurt.
Lajmi edhe pse jo zyrtar është konfirmuar nga përfaqësues të grupit parlamentar socialist, por skenari i Ramës është që pas këtij hapi do të mundësojë që mandatet e socialistëve të mos digjen, të vijohet sërish me bojkotin.
Deputeti Andis Harasani në një intervistë për Klan, komenton këtë lëvizje të planifikuar të Ramës.
Harasani shpreh keqardhjen që kryetari i tyre pas shtatë muajsh që luftoi për të gjetur armiq të brendshëm në parti, po shfaq qëndrime të njëjta me këta armiq të hamendësuar.
Andis Harasani: “Është një nga rastet e pakta kur të vjen keq që kupton që ke pasur të drejtë për gjashtë muaj rresht, shtatë muaj rresht, kanë qenë pikërisht përpjekjet tona, kostot që ne kemi marrë, e kam fjalën për pesë deputetët e asaj çka është quajtur si Lëvizja për Mendim Ndryshe dhe të vjen keq që mbas gjatë muajsh shikojmë që edhe një, dhe rezoluta e fundit OSBE-së janë absolutisht në të njëjtin qëndrim më qëndrimin që ne kemi mbajtur. Është po i njëjti qëndrim i të gjithë ndërkombëtarëve që PS-ja duhet urgjentisht të ndërpresë bojkotin. Vazhdon të na vijë keq kur shohim që nga ana e kryetarit Rama, kryetarit në detyrë nuk kuptohet që me ndërprerje bojkoti do të thotë që të kthehemi në parlament, të zëmë vendet tona dhe t’i japim Shqipërisë atë çka ka nevojë një opozitë të vërtetë, por thjesht mendohet që të hyhet në datë 25 Shkurt në të ënjten e ardhshme, të hyet për të bërë betimin dhe për të dalë çka do lexohet thjeshtësi si një frikë për djegie mandatesh si një frikë për mos humbjen e rrogës”.
Harasani deklaron se së bashku me kolegët e tij do të luftojnë për të qëndruar në parlament për të bërë një opozitë reale dhe për të mundësuar fitore në zgjedhjet lokale.
Andis Harasani: “Ne do vazhdojmë të së bashku me të gjithë faktorin ndërkombëtar. Kërkojmë që Partia Socialiste të kthehet aty ku i takon, si partia më e madhe në vend dhe të fillojë të përgatitet jo më për zgjedhjet e parakohshme, të cilat unë i shoh shumë të vështira të ndodhin për efekt të ndryshme kushtetuese që çifti Rama-Berisha bën në legjislacionin e kaluar, por të përgatiten për zgjedhjet e ardhshme lokale të cilat ne duhet ti fitojmë patjetër./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka