Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Krijimi i mjaft grupeve parlamentare në Kuvendin Shqiptar, sjell deformime politike, institucionale dhe abuzime ekonomike. Këtë qëndrim mban qendra për studime parlamentare. Realiteti shqiptar numëron deri tani 12 emra grupimesh parlamentare, ndërsa në institucionet e përfaqësimit në vende europiane ka më pak, psh. bundestagu gjerman ka vetëm 6 të tillë.
Sokol Berberi: “Ka një deformim përsa i përket aspektit politik. Grupet parlamentare krijohen në bazë të përfaqësimit politik dhe të një orientimi politik të caktuar dhe kjo gjë shprehet gjatë gjithë veprimtarisë parlamentare, pra grupet mbajnë qëndrime të caktuara politike gjatë gjithë diskutimeve që zhvillohen në kuvend, gjatë kontrollit parlamentar dhe për këtë qëllim, ky fragmentim jo real i grupeve parlamentare do të reflektojë dhe këto qëndrime të caktuara. Deformimi i dytë mendoj se është institucional. Duhet të kemi parasysh që në jetën parlamentare, grupet parlamentare janë ato të rëndësishme nga pikëpamja institucionale. Ka një paragraf që parashikohet në nenin 19, përsa i përket mbështetjes së partive që kanë grup parlamentar dhe nga fondi që jepet çdo vit për partitë politike, 20% i jepet partive që kanë grup parlamentar. Mendoj se ka një deformim përsa i përket interpretimit me sa shikohet”.
Për të parandaluar këtë situatë kërkojnë juristët shqiptarë, duhet interpreti juridik, i ligjit dhe rregullores së parlamentit./tvklan.al
Gazetare: Aranita Brahaj