Situata e Arbianës ka ngritur shumë pikëpyetje në “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. 27-vjeçarja është martuar me shkuesi në vitin 2019 në Shkodër dhe nga kjo martesë ka 3 fëmijë, dy vajza e një djalë. Fëmijët janë të mitur, 3-5 vjeç dhe pranë saj sot nuk ndodhet asnjëri.

Arbiana dhe nëna e saj, Arjana e cila e ka thirrur në studio, kanë thënë deri në këtë moment se vjehërria dhe bashkëshorti nuk e kanë lejuar të kujdeset për fëmijët. Ata e kanë ndaluar t’u japë gji dhe ia kanë marrë përmes kërcënimeve.

Përsëritja e historisë tri herë rishtazi është pikëpyetja më e madhe në këtë histori. Arbiana thotë se është rikthyer në atë shtëpi për hatër të fëmijëve, por çdo herë që ka ndodhur kjo, ka mbetur shtatzënë.

Ardit Gjebrea: Ti e linde fëmijën e parë, e pe se çfarë ndodhte në atë familje, edhe të dytin, edhe të tretin bëre që të kishin fatin e të parit. Tani, pse ti dhe prindërit lejuat këtë gjë?

Arjana: Më fal zoti Ardit, ti ke shumë të drejtë të thuash, por ne çdo gjë kemi bërë për këtë vajzë. E mori vesh burri që këta e trajtonin keq dhe bëri denoncim në polici dhe vajti policia atje, por vajzën ma kishte kërcënuar i shoqi.

Arbiana: Po, e vërtetë. Më ka detyruar burri që të deklaroj e të them që nuk kam gjë, as me burrin, as me vjehërrinë se përndryshe “vajzën s’e shikon më me sy” më tha dhe “dhuna do të vazhdojë te ty po the ndonjë gjë kundër meje”.

Ardit Gjebrea: Arbiana, pse bëre fëmijë tjetër, pyetja ime? Se një njeri që kërcënohet, që nuk sheh fëmijën etj, nuk bën edhe dy fëmijë të tjerë. Ata si i bëre?

Arbiana: Ato Ardit mund të them se janë punët e Zotit, e ke parasysh? Se ne mendonim të bëheshim me një fëmijë, me dy, ama jo në këtë formë, e ke parasysh?

Ardit Gjebrea: E  di, unë jam dakord me ty që thua që janë punët e Zotit sepse çdo gjë e bën Zoti, por ti vetë, e kupton, nuk pate në një moment fuqinë që t’i thoshe okej, ti po më kërcënon, unë do të rri, por mos të bëj edhe dy fëmijë të tjerë se ti po vuan, ti nuk po i shikon ata apo jo?

Arbiana: Po, ashtu është.

Arjana: Zoti Ardit, më fal, por vajza ime donte të ndahej nga ai por ai i mbante fëmijën peng dhe për hatër të fëmijëve u kthye prapë atje.

Ardit Gjebrea: Të kuptova, më fal, atëherë keni ndërmend të bëni edhe të katërtin?

Arbiana: Jo.

Ardit Gjebrea: Këtë jo pse nuk ma thua që kur linde të parin dhe tek i dyti të kishe thënë jo? Kjo është pyetja ime. Mirë ndodhi edhe me të dytin, dakord, por të tretin pse?

Eni Çobani: Pra janë bërë shumë shpejt fëmijët Arbiana dhe kjo është çudia e të gjithëve ne.

Arjana: Fëmijët i ka në krye të vitit se ai mbante peng fëmijën tjetër edhe kjo kthehej për hatër të fëmijës në atë shtëpi. Kjo është e vërteta.

Eni Çobani: Ka ngelur shtatzënë shumë shpesh pra.

Arjana: Në krye të vitit pra se s’i ka lënë as për t’i dhënë gji fëmijëve, as të parit, as të dytit. Helbete,se gruaja kur s’i jep gji fëmijës, ngelet shtatzënë. Është diçka e vërtetë.

Eni Çobani shpjegon se është e mundur që gruaja të mbetet shtatzënë nëse ndërpret gjidhënien, teksa Arbiana shton se “sigurisht, janë edhe punët e Zotit”./tvklan.al