Partia Demokratike rezulton fituese e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Sondazhi i publikuar mbrëmë në emisionin “Opinion” nga qendra humanistike “Gani Bobi” nxjerr fituese Partinë Demokratike me 41.1% të votave, të përkthyera në 72 mandate në parlament. Numër ky që i siguron PD-së mazhorancën qeverisëse. Partia Socialiste merr 33.2% të votave, ose vetëm 62 deputetë, më tej renditen LSI me 3.1% të votave ose 5 deputetë dhe e fundit vjen partia G 99 me 2.3% ose 1 deputet.
Blendi Fevziu: “Ky është votimi me parti, jo me koalicion, pra 41.1% PD, 33.2% PS, 3.1% LSI, 2.3% G99.”
Sipas sondazhit të “Gani Bobit” rezulton se të gjitha partitë e tjera si të majta ashtu dhe ato të djathta nuk do të jenë të përfaqësuara në parlament. Parlamenti i ardhshëm do të përbëhet vetëm nga PD, PS, LSI dhe G99. Në bazë të projektimit të sondazhit, për të cilin vetëm dy javë para zgjedhjeve u pyetën 2900 shqiptare në të gjithë vendin, PD është fituese në qarqet e mëdha.
Në sondazhin e publikuar mbrëmë në Opinion për qarkun e Korçës Partia Demokratike rezulton fituese 44. 9%, ndërsa Partia Socialiste merr 31.4% të votave. Diferenca mes dy forcave më të mëdha politike në vend, për këtë qark është 13 pikë.
Blendi Fevziu: “44.9% PD, 31.4% PS, 1.6% LSI, 1.5% G99, 1.5% PR, 0.3 PBDNJ, 0.3 Poli i lirisë, 0.5 të tjerat.”
Qendra humanistike “Gani Bobi” ka projektuar më saktë se çdo kompani tjetër sondazhesh rezultatet e votimeve në Shqipëri, duke nisur që nga zgjedhjet e vitit 2005./tvklan.al
Gazetar: Edian Gjoni