Shqipëria do të luajë pas rreth 1 ore ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve ndaj Ukrainës që për shkak të luftës do të luhet në Pragë.

Të dy skuadrat kanë qenë pjesë e finaleve të Euro 2024 ku nuk arritën të shkojnë më shumë se faza e grupeve. Shqipëria e mbylli me 1 pikë në grupin më të vështirë, ku ishte Spanja që u shpall kampione, Italia dhe Kroacia.

Ukraina mori 4 pikë, po aq sa rivalët e tjerë Rumania, Belgjika dhe Sllovakia, por pa mundur të shkojë më tej për shkak të golavarazhit.

Kuqezinjtë synojnë të thyejne tabunë, pasi nuk e kanë mundur asnjëherë përfaqësuesen ukrainase ku rezultati më i mirë në 6 përballjet është barazimi 2-2 para 19 vitesh.

Kuqezinjtë pritet të mbështeten nga tifozët që do të jenë të shumtë sipas Drejtorit të Komunikimit në FSHF, Fatjon Kodra.

“Janë të paktën 1 mijë tifozë shqiptarë të konfirmuar. Në fakt pritet të kemi një numër të madh, pasi ka shqiptarë, që kanë pasaporta të tjera. Është e sigurt që do të jenë më shumë se 1 mijë. Ka shumë tifozë që kanë ardhur në Pragë”, njoftoi Kodra.

Përballja me Ukrainën do të nisë në orën 20:45 në TV Klan nën komentin e Alban Xhihanit.

Tv Klan