Trump: Nuk lejojmë demokratët të rrëmbejnë as Senatin as Shtëpinë e Bardhë
Balanca e Kongresit amerikan varet nga balotazhi për 2 vende senatorësh që zhvillohen këtë të martë në Georgia të Shteteve të Bashkuara.
Në raundin e parë asnjë nga kandidatët nuk mori mbi 50% të votave, teksa Georgia është i vetmi shtet federal që lejon balotazhin.
Sytë e të gjithë opinionit publik amerikan janë drejtuar nga ky shtet federal pasi nëse republikanët humbin të dy vendet në bastionin e tyre, demokratët sigurojnë shumicën edhe në Dhomën e Lartë të Kongresit duke marrë 51 vende, çka i hap rrugën Presidentit të zgjedhur Joe Biden të verë në zbatim pa asnjë vështirësi axhendën e tij.
Teksa Joe Biden u kërkoi votuesve të Georgia të bëjnë realitet ëndrrën e tyre për shëndetësi të mirë për të gjithë, vende pune dhe drejtësi. Në takimin e fundit elektoral Presidenti në detyrë Donald Trump u bëri thirrje atyre të mos lejojnë që demokratët të marrin as shumicën në Senat dhe as Shtëpinë e Bardhë.
Trump premtoi se do të luftojë deri në fund për të ruajtur Shtëpinë e Bardhë, duke këmbëngulur tek bindja e tij se zgjedhjet e 3 Nëntorit u manipuluan.
Nëse republikanët i fitojnë sërish dy vendet në Senat në balotazhin e kësaj të marte, kjo do të binte ndesh me rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në këtë shtet federal, ku Joe Biden doli fitues me një diferencë tepër të ngushtë prej gati 12 mijë votash.
Megjithatë, si demokratët ashtu edhe zyrtarët republikanë të këtij shteti federal janë kundër pretendimeve të Presidentit në detyrë Trump se votat e presidencialeve u manipuluan.
Tv Klan