SPAK dërgon për gjykim dosjen ndaj Amarildo Nikollit, i cili akuzohet bashkë me tre persona të tjerë për atentatin e dështuar ndaj Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashajt.
Pak para ekzekutimit të planit, forcat speciale bënë të mundur prangosjen e Amarildo Nikollit, të cilit iu sekuestrua një pistoletë me silenciator me fishek në fole, gati për qitje, doreza dhe kapuç. Këto janë momentet e shoqërimit të të riut nga Shkodra, i cili u prangos në zonën e ujit të Ftohtë në Vlorë.
Pas arrestimit, Nikolli vendosi të bashkëpunojë me autoritetet e drejtësisë duke fituar statusin e të penduarit.
Porositësi i atentatit sipas SPAK është Leonard Luzi, i cili u ekstradua nga Spanja më 9 nëntor. Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuza edhe ndaj Muharem Koroveshit dhe Erio Zejnos, që kishin rolin e bashkëpunëtorit.
Ata i dërguan armët në banesë Amarildo Nikollit në Vlorë, e kanë informuar për lokalizimin e objektivave, si dhe do të ndihmonin ekzekutorin në largimin nga vendi i ngjarjes.
Klan News