Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë dënimet ndaj 3 personave të arrestuar që akuzohen për tentativën e vrasjes ndaj Inez Hajrullës dhe Ervis Matodashaj në Vlorë, më 7 Gusht 2023.

Sipas gazetares së Klan News, Glidona Daci, GJKKO ka dënuar me 11 vite burg Leonard Luzin, përfundimisht 7.4 vite burgim, dhe 10 vite heqje lirie Muharrem Koroveshin, që për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë 6.8 vite.

Për të penduarin e drejtësisë Amarildo Nikolli alias Xhenje, u dhanë 7.4 vite burgim, me gjykim të shkurtuar 2.9 vite burgim.

Spas SPAK, Leonard Luzi është financuar nga një person ende i paidentifikuar për të kryer vrasjet e dy shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla ku shkak dyshohet të janë përplasjet për lojërat e fatit.

Leonard Luzi dyshohet se ka krijuar një grup të strukturuar kriminal, pjesë e të cilit janë i pandehuri Amarildo Nikolli, që do të ishte ekzekutori si dhe Muharem Koroveshi, dhe Erio Zejno, në rolin e ndihmësit, ky i fundit ende në kërkim.

Në dosjen e SPAK thuhet se Koroveshi dhe Zejno kanë sjellë armët në banesën e Amarildo Nikollit i cili do të kryente ekzekutimin dhe e kanë ndihmuar në terren me gjetjen e personave të cilët ishin objektiv i atentatit. Po ashtu ata do të ndihmonin Nikollin për t’u larguar nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së atentatit. 

Kjo ngjarje u parandalua nga Policia e Vlorës e cila vendosi në pranga Amarildo Nikollin në zonën e “Ujit të Ftohtë”.

/tvklan.al