Gjykata e Posaçme dënoi me 16 vite e 9 muaj burg në total 3 persona, të cilët i gjeti fajtor për sigurim të kushteve për 2 vrasje që nuk u realizuan në 2023, mes të cilave edhe ajo ndaj Inez Hajrullës. Dënimin më të lartë, Gjykata e dha për Leonard Luzin, i cili do vuajë 7 vite e 4 muaj heqje lirie.
Me 6 vite e 8 muaj burg u dënua Muharrem Koroveshi dhe Amarildo Nikolli me 2 vite e 9 muaj heqje lirie. Ky i fundit përfitoi në masën e dënimit ulje për shkak të statusit si bashkëpunëtor i drejtësisë.
Shpallja e vendimit u bë mes tensioneve në seancë, ku Leonard Luzi iu drejtua me tone kërcënuese të penduarit të drejtësisë dhe prokurores së SPAK.
Atentati ndaj Inez Hajrullës, një personazh i njohur për autoritetet dhe që i ka shpëtuar disa tentativave për vrasje, u zbardh pasi Nikolli u arrestua pak para se të realizonte qitjen, ku iu gjet arma e zjarrit dhe mjetet e tjera.
Pas arrestimit, Amarildo Nikolli bashkëpunoi me drejtësinë dhe rrëfeu që do të kryente vrasje prandaj kishte në posedim armën e zjarrit me silenciator dhe doreza e kapele.
Tv Klan