Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit i komunikoi këtë të mërkurë ish-kryeministri Sali Berisha se ka ngritur ndaj tij akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë.
Ashtu si në fjalën para hyrjes për t’u përballur me dy prokurorët e dosjes, edhe pasi mori statusin e të pandehurit, Berisha, në mesin e një turme simpatizantësh, tha se gjithçka ishte politike.
“Asgjë nuk ndryshon, është vazhdim i një hakmarrjeje politike, zbatimi i një urdhri mafioz politik dhe për mua nuk ndryshon asgjë. Ajo që është themelore, nuk ekziston, asnjë provë, asnjë fakt, asnjë dokument që të dëshmojë se në të gjithë këtë proces ka ndodhur shkelja më e vogël e ligjit”, tha Berisha.
Ish-kryeministri nuk kurseu as ironinë ndaj SPAK.
Pas komunikimit të akuzës, do të ngelet në dorën e Gjykatës së Posaçme, e cila në një seancë paraprake do të vendos nëse do e kalojë ose jo për gjykim themeli çështjen. Akuza e ngritur ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, parashikon një dënim nga 4 deri në 13 vite burg ne rast te shpalljes fajtor.
Po këtë të mërkurë, SPAK i komunikoi akuzën e korrupsionit pasiv dhe pastrimit të parave në bashkepunim edhe dhëndrit të Berishës, Jamarbër Malltezi, i cili po ashtu i quajti akuzat politike.
“Për fat të keq kanë gënjyer dhe janë për t’u keqardhur kur pushteti i përçmon dhe i bën të gënjejnë aq trashë”, tha Malltezi.
Biznesmenit Fatmir Bektashi iu komunikua akuza korrupsionit aktiv dhe e pastrimit të parave në bashkëpunim.
Tv Klan