Ish-kryeministri Sali Berisha zhvilloi një konferencë për shtyp me gazetarët ku hodhi poshtë akuzat e SPAK ndaj tij duke i cilësuar si një piramidë mashtrimi. Ai u shpreh se hetimi ndaj tij ka nisur pas një denoncimi të cilin e konsideron mashtrues nga socialisti Taulant Balla. Sipas Berishës hetuesit nuk kanë gjetur asnjë provë, dokument apo dëshmi që ta fajësojë atë, apo dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.

“Por sot, pas katër vitesh hetimesh shterruese, ata që projektuan, ata që u angazhuan, që porositën, që ndërmorën hetimin ndaj Sali Berishës dhe dhëndrit të tij, nuk gjetën asnjë provë, asnjë fakt, asnjë dokument, asnjë dëshmi të vetme që të fajësojë Sali Berishën dhe Jamarbër Malltezin. Kështu që atyre do u mbetet turpi njëherë e përgjithmonë për aktet e tyre. Le t’i marrim pak, siç thashë më sipër, kjo akuzë është një piramidë mashtrimi, e cila bazohet në shtyllat kryesore që vijojnë. Së pari, bazohet në denoncimin e Taulant Ballës me urdhër të Edi Ramës katër vite më parë, sipas të cilit, toka e klubit Partizani ka qenë e shpronësuar nga autoritetet italiane, për rrjedhojë tokë publike dhe Sali Berisha ia ka dhënë dhëndrit të vet dhe familjeve të tjera. Ky është një mashtrim që përbën vepër penale, sepse Fletoret Zyrtare të vitit 1944, 1943, faktojnë se kjo tokë ka qenë e pronarëve që e kanë marrë sot. Kjo tokë nuk është shpronësuar kurrë nga autoritetet italiane por vetëm është vënë në rekuizitë dy herë nga gjashtë muaj dhe këto janë dekretet mbretërore të publikuara në gazetën zyrtare të kohës. Mercenarët e organizatës politike kriminale Skapi i partisë, pretendojnë se procesi i njohjes dhe kthimit të tokës, parablerjes së objekteve të klubit Partizani, u kthye me shpejtësi për favor të Jamarbër Malltezit. Dokumentet zyrtare tregojnë se ky proces ka zgjatur nga viti 1993 gjer në vitin 2007. Kurse procesi i parablerjes së objekteve ka filluar në vitin 2005 dhe ka përfunduar në vitin 2009. Pra, kjo është shpejtësia me të cilën është kryer”, tha Berisha.

Berisha tha se hetimi ndaj tij do të gdhendet në muret e kohës “si një nga veprat më të shëmtuara të narkoshtetit në Shqipëri”.

“Një përshëndetje në distancë gazetarëve të pranishëm në sallë dhe një përshëndetje të përzemërt mbarë qytetarëve shqiptarë që ndjekin këtë konferencë shtypi, në të cilën unë informoj qytetarët shqiptarë se sot, Edi Rama, kreu i narkoshtetit shqiptar, Altini i pyetjes 1 milion euro dhe tre apartamenteve sipas tij si rrogëtar shteti, ish-xhelati i policisë sekrete shqiptare me vila dhe ndërtime, Kraja, ndrikulla e bandave të rrezikshme, simotra biologjike e Taulant Ballës, Mellonai, dorëzuan avoketërve të mi në mënyrë përfundimtare dosjen për klubin Partizani me akuzën për korrupsion pasiv për Sali Berishën dhe të njëjtën, shtuar dhe larje parash për dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi. Ky akt i paprecedent, i bazuar në një piramidë fund e krye mashtrimi, falsifikimi dokumentesh, manipulimi dhe fshehje të dokumenteve zyrtare, do gdhendet në muret e kohës si një nga veprat më të shëmtuara të narkoshtetit në Shqipëri”, tha Berisha./tvklan.al