Avokatët e të pandehurve për çështjen e ish-kompleksit “Partizani” janë paraqitur këtë të mërkurë në ambientet e SPAK për t’iu komunikuar mbyllja e hetimeve dhe për të marrë të gjitha aktet përfundimtare të kësaj dosje.
Siç raporton gazetarja Glidona Daci e para që mbërriti në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ishte avokatja Klodiana Gjyzari, e cila firmosi për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe financieren Andia Pustina.
Më pas u paraqit avokati Klodian Skënderi, i cili përfaqëson Jamarbër Malltezin. Ai dhe avokati i Xhimi Begesë u njoftuan zyrtarisht për mbylljen e hetimeve dhe morën me vete dosjen.
Asnjë prej tyre nuk ishte i pranishëm sot në SPAK, ndërkohë që ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar një konferencë për shtyp.
Ndërsa biznesmeni Fatmir Bektashi ishte i pranishëm të hënën në SPAK për t’u njohur me mbylljen e hetimeve dhe për të marrë dosjen në dorë.
Kujtojmë se ish-kryeministri Berisha akuzohet për korrupsion pasiv. Dhëndri i tij Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë dhe pastrim parash. Bektashi akuzohet për korrupsion aktiv dhe pastrim parash, ndërsa Pustina e Begeja vetëm për pastrim parash.
Çfarë ndodh tani?
Tashmë përmbyllet ajo që njihet si afati për njoftimin zyrtar të përfundimeve të hetimeve nga SPAK për pesë personat që janë marrë të pandehur dhe u janë komunikuar akuzat.
Nga dita e sotme nis afati 10 ditor ku përfaqësuesit ligjorë të të pandehurve kanë të drejtën të sjellin memot në dyert e SPAK.
Pra duke qenë se avokatët do të njihen me provat dhe faktet që disponon SPAK, do të paraqesin kundërshtimet e tyre duke vënë në dispozicion dhe duke iu bashkëngjitur dosjes hetimore edhe provat e faktet që ata vetë disponojnë në lidhje me rrëzimin e akuzave të ngritura nga SPAK.
“Avokatët e Berishës, Malltezit, Bektashit, Begesë dhe Pustinës do të sjellin të gjitha provat që ata kanë në dispozicion”, raporton gazetarja Glidona Daci.
Pasi të bëhet “qepja” e dosjes do të kërkohet edhe zbritja e saj në dyert e Gjykatës së Posaçme pasi të firmoset nga dy prokurorët e çështjes, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai. Firmë do të ketë edhe kreu i SPAK, Altin Dumani.
Kur dosja të zbresë në dyert e gjykatës do të hidhet shorti elektronik që do të përcaktojë gjyqtarin e seancës paraprake, i cili do të duhet të dëgjojë pretendimet e prokurorëve dhe pretendimet e avokatëve.
Mbetet për t’u parë nëse do të jenë të pranishëm pesë të pandehurit.
“Në seancën e parë është detyrim ligjor pasi do duhet të vërtetojnë përballë gjykatës që kërkojnë të përfaqësohen nga mbrojtësi që kanë zgjedhur me prokura dhe po ashtu t’i kërkojnë gjykatës nëse procesi do të shkojë me gjykim të zakonshëm apo të shkurtuar”, raporton gazetarja Daci.
Më pas është trupa gjykuese që ka në dorë fatin e çështjes.
Gjyqtari mund të vendosë kalimin e dosjes për gjykim duke pranuar kërkesën e prokurorisë, pushimin e hetimeve dhe të çështjes duke pranuar kërkesën e të pandehurve, ose mund të vendosë dhe konstatojë që SPAK nuk i ka ezauruar të gjitha veprimtaritë hetimore dhe ta kthejë dosjen për plotësim të hetimeve duke i lënë edhe detyra konkrete./tvklan.al