Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e ish-deputetit Ervin Salianji për lirimin nga burgu. Ish-deputeti i PD kërkoi revokimin e dënimit me një vit burg, të dhënë nga Gjykata e Apelit më 27 Shtator të vitit të shkuar.

Seanca e të martës u zhvillua pa praninë e palëve, por vetëm me shqyrtimin e akteve nga gjykata e cila në përfundim dha vendimin për rrëzimin e rekursit.

Po ashtu, gjykata nuk pranoi as kërkesën e gazetarit Jetmir Olldashi, i cili u dënua nga Apeli me 6 muaj heqje lirie, por që iu konvertua me 100 orë punë.

Salianji, i cili po vuan dënimin në burgun e Fierit, u shpall fajtor për kallëzim të rremë, në lidhje me një denoncim për vëllain e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Në 2018-ën publikoi materiale të prezantuara si audio-përgjime, përmes së cilave pretendonte se vëllai i ministrit të Brendshëm atë kohë, Fatmir Xhafaj, ishte i përfshirë në trafikun e drogës.

Por, nga hetimet rezultoi se e gjitha ishte një material i montuar, dhe biseda me dëshmitarët e rremë ishte e tëra e simuluar për të ngarkuar vëllain e ish-ministrit.

Rrëzimi i rekursit të tij u komentua nga Ervin Salianji në rrjetet sociale. Nga qelia, Salianji shkruan se nuk është i habitur nga ky vendim, i nxitur, kërkuar dhe stisur nga Edi Rama.

Sipas Salianjit, dënimi i tij bëhet për ta eliminuar nga beteja politike pasi në çdo përballe e ka mundur mazhorancën.

Pas këtij vendimi reagoi edhe Partia Demokratike. Nënkryetari Luçiano Boci tha se lënia në burg e deputetit Ervin Salianji, tregon dhe një herë se Edi Rama nuk heq dorë nga paranoja për të kontrolluar sistemin e drejtësisë dhe për të goditur me të kundërshtarët politikë.

Sipas Boçit,  më 11 Maj përgjigjia do të jetë e qartë dhe plebishitare si për urdhëruesit ashtu dhe shërbëtorët e kësaj pengmarrjeje politike me gjykatë.

Klan News