SPAK ka mbyllur hetimet ndaj ish-kryebashkiakut të Himarës Jorgo Goro. Siç raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci, Goros dhe personave të tjerë iu komunikuan zyrtarisht akuzat.
Goro është marrë i pandehur për “shpërdorim detyre” dhe “fshehje pasurie”.
Kujtojmë se Goro u arrestua më 23 Mars të këtij viti pasi akuzohet se në dy episode të ndryshme, në cilëinë e kryetarit të bashkisë Himarë, ka përcjellë pranë organeve kompetente dokumenta të falsifikuara. Gjë e cila më pas ka bërë të mundur regjistrimin e një sipërfaqeje toke bujqësore (në pronësi të shtetit) në favor të subjektit privat.
Gjithë procesi është kryer në bashkëpunim me Drejtorin e Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës.
Prokuroria e Posaçme thekson po ashtu se Goro në bashkëpunim me persona të tjerë, tokën me sipërfaqe prej 5512 m2 të ndodhur në Dhërmi pas regjistrimit në regjistrat publikë e ka tjetërsuar në favor të një subjekti privat. Gjithashtu ka realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.
Pra bëhet fjalë për një sërë procesesh në shkelje flagrante të ligjit.
TË HETUAR NGA SPAK PËR ÇËSHTJEN:
Jorgo Goro, “Arrest në burg”
Stavri Mëhilli, “Arrest në burg”
Bilbil Aliaj, “Arrest në shtëpi”
Vezir Gjikoka, “Arrest në shtëpi”
Jerasimo Bashi, “Arrest në shtëpi”
/tvklan.al