Redjan Rraja dhe Arjol Halilaj merren të pandehur

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe pritet të dorëzojë dosjen për gjykim për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja në Nëntor të 2019-tës. Për këtë ngjarje në pranga janë vënë Redjan Rraja dhe Arjol Halilaj që pritet të njihen zyrtarisht me akuzën ditën e hënë.

Sipas Prokurorisë, 36-vjeçari Rraja dyshohet se është një nga personat që ka qëlluar drejt makinës ku udhëtonte prokurori, ndërsa Halilaj e ka ndihmuar për t’u larguar me makinë menjëherë pas atentatit.

Ngjarja e rëndë ndodhi në Nëntor të 2019-tës, në kohën që prokurori i Durrësit Arjan Ndoja mbeti pre e një atenati me armë teksa po udhëtonte me mikun e tij Aleksandër Laho dhe shoferin Andi Maloku të cilët mbetën të plagosur. Ky i fundit, ndërroi jetë pak ditë më pas në Spitalin e Traumës.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, ka rezultuar se autorët u larguan në drejtim të Shkafanës, ku braktisën automjetin tip “Benz”, të cilin nuk mundën ta digjnin dot. Pas këqyrjes nga ana e grupit hetimor, në të u gjendën dy maska, lëndë djegëse, dhe dy kallashnikovët e përdorur në atentat.

Tv Klan