E shoqëruar nga forcat e policisë, ish-gjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetahu dhe avokati i saj u paraqitën këtë të premte në Gjykatën e Posaçme, aty ku togat e zeza i komunikuan masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për akuzën e korrupsionit.
Ish-gjyqtarja ishte mes 33 urdhërarresteve të lëshuara nga SPAK, në kuadër të operacionit “Plumbi i artë” 2 ku u godit grupi kriminal i drejtuar nga vëllezërit, Franc dhe Hajdar Çopja.
Seanca për ish-magjistraten u zhvillua e veçuar nga pjesa tjetër e të akuzuarve, teksa përpara togave të zeza Pajtime Fetahu mësohet të ketë pretenduar se nuk ka dijeni për atë që e akuzojnë. Pasi u la në fuqi masa e sigurisë caktuar ndaj saj, ish-gjyqtarja nuk preferoi të flasë për mediat.
Po në të njëjtën seancë me ish-gjyqtaren, trupa gjykuese e GJKKO la në fuqi dhe masën për ndalim dalje jashtë vendit për sekretaren e saj, gjithashtu pjesë e kësaj çështje.
Ndërkohë me masën e sigurisë janë njohur dhe 11 të arrestuarit e tjerë po në kuadër të këtij operacioni. Nga 33 urdhër arreste, 13 janë ekzekutuar në Shqipëri, ndërsa 2 të tjera në qelitë e burgut jashtë vendit.
Mes tyre dhe masa e sigurisë arrest me burg ndaj Franc Çopjas, i konsideruar nga SPAK si një nga krerët e grupit kriminal që akuzohen si porositës të 6 vrasjeve, 2 grabitjeve e disa tentativa ekzekutimesh.
Tv Klan