Në 25 Shtator, Prokuroria e Posaçme ka thirrur ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, për t’u komunikuar atyre përfundimin e hetimeve dhe mbylljen e procedurave për tërheqjen e plotë të akteve të dosjes.
Kjo është faza e fundit para se SPAK të dërgojë në Gjykatën e Posaçme kërkesën për t’i marrë ata të pandehur për dyshimet se janë korruptuar në procesin e privatizimit të kompleksit “Partizani” në vitin 2008.
Këtë të hënë në SPAK për përfundimin e hetimeve ishte biznesmeni Fatmir Bektashi, i cili akuzohet se ka korruptuar nëpërmjet Malltezit edhe Berishën, si dhe ka pastruar para.
SPAK që prej disa ditësh është duke kryer veprimet e komunikimit të akuzës që pason përfundimin e hetimeve, ka marrë të pandehur për këtë çështje edhe Andia Pustinën dhe Xhimi Begen, një prej ish-pronarëve që përfitoi nga privatizimi.
Që prej komunikimit të akuzës, ish-kryeministri dhe dhëndri i tij nëpërmjet daljeve publike kanë mohuar përfshirjen në korrupsion, duke pretenduar se për qëllime politike, SPAK ka falsifikuar dokumente.
Nuk është konfirmuar ende nëse vetë ish-kryeministri Berisha do të paraqitet në SPAK, sa kohë procedura nuk e detyron.
Tv Klan