Për Prokurorinë e Posaçme, ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, duhet të dënohet për korrupsion, ndryshe nga çfarë vendosi Shkalla e Parë, që e gjeti fajtor për “Shpërdorim detyre”.
Në seancën e zhvilluar këtë të enjte në Gjykatën e Apelit, SPAK kërkoi dënimin e tij me 4 vite e 6 muaj burg dhe për Alma Kaçin, 1 vit e 5 muaj.
Edhe për këtë të fundit, prokurorët e posaçëm këmbëngulin që akti seksual në zyrën e Gjicit konsiderohet formë korrupsioni, jo prostitucion, siç e vlerësoi Shkalla e Parë që konfirmoi se 40-vjeçarja ishte paguar për veprimin në zyrën e kryebashkiakut.
Të dy të pandehurit kërkuan pafajësi nga Apeli, duke argumentuar se nuk ka fakt penal.
Tre gjyqtarët e Apelit pasi dëgjuan të dyja palët morën kohë duke shtyrë seancën për shpallur vendimin në 24 Qershor.
Safet Gjici, ish-kryebashkiak i Kukësit, u arrestua 1 vit më parë pas publikimit në rrjete sociale të një video erotike mes tij dhe Alma Kaçit në zyrë.
Në videon e plotë dëgjohej edhe një bisedë ku kjo e fundit i kërkonte atij financim për një projekt që rehabilitonte qentë e rrugës.
Tv Klan