Trafik ndërkombëtar droge, vrasje e grabitje janë disa nga akuzat që rëndojnë mbi grupin e Suel Çelës. Në njoftimin zyrtar të SPAK zbardhen rolet e 21 të proceduarve, 18 prej tyre arrest në burg, avokatja e tij në arrest shtëpie dhe dy gazetarët: Artan Hoxha e Elton Qyno në detyrim paraqitje.
Gjithcka është zbuluar nga komunikimet e koduara në platformën SKY/ECC të anëtarëve të kësaj organizate. SPAK në njoftimin zyrtar ka zbërthyer dhe rolet e ish-gjyqtares Pajtime Fetahu dhe zyrtarit të policisë Dedan Gjoni.
Ata ishin korruptuar nga anëtarët e organizatës, të cilët informoheshin për operacionet e policisë dhe të ndikonin në proceset gjyqësore ndaj tyre. Gjithashtu thotë SPAK, ata ndikonin edhe në ashpërsimin e vendimeve të gjyqësorit për anëtarët e grupeve rivale në Elbasan.
Organizata e porosiste lëndën narkotike nga grupe të strukturuara kriminale shqiptare të lidhur me organizatat vendase në Amerikën Latine. Në bashkëpunim me strukturat e drejtësisë në vendet europiane, SPAK ka faktuar dy ngarkesa, e para me 930 kg kokainë nga Ekuadori në Europë në Dhjetor të 2020 dhe trafikimin e 466 kg, po kokainë, nga Ekuadori në Holandë, në Janar 2021.
Organizata e Suel Çelës përdorte portet të mëdha si të Antverpit në Belgjikë dhe Roterdamit në Holandë dhe më pas kokaina shpërndahej në disa shtete të Europës. Gjithashtu SPAK ka zbardhur edhe tentativat e vrasjes nga anëtarët e këtij grupi. Në qershor të vitit 2020 u tentua të vritej Ardian Capja me snajper.
Për dy gazetarët, SPAK thotë se kundrejt pagesave ata kanë mbajtur qëndrime në media si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik. Sipas Prokurorisë së Posaçme një pjesë e të ardhurave nga aktivitetet kriminale, kjo organizatë e investonte në blerjen e lëndës narkotike, në biznese etj.
Në fundjavë, në qytetin e Elbasanit u kryen kontrolle edhe në banesat e dy ish-gjyqtarve Zihni Shahut dhe Taulant Tafës dhe dy ish-prokurorëve.
Klan News