Lajme Arkiva 2003
Në një miting të organizuar me banorët e njësisë bashkiake numër 2 të kryeqytetit kandidati demokrat ka akuzuar bashkinë se i ka marrë sovranitetin banorëve të Tiranës.
Ngjela ka theksuar në fjalën e tij mbajtur para këtij elektorati se do ta vërë bashkinë në shërbim të qytetarëve si dhe ka ritheksuar faktin që ekziston një armiqësi midis bashkisë së Tiranës dhe qytetarëve.
Spartak Ngjela: Bashkia do të jetë e juaja dhe unë jam shërbëtori juaj sepse për këtë më keni zgjedhur. Ai është kryetari i bashkisë. Të jesh zotëri, kryetar bashkie, duhet të matesh mirë kur hedh kandidaturën për kryetar bashkie të matesh mirë se nuk je njeri që bredh poshtë e përpjetë por je njeri me përgjegjësi të mëdha dhe duhet të jesh në rreze të diellit. Të shikojnë të gjithë çfarë bën dhe gjithçka ta bësh me të gjithë. Kjo është bashkia që duam të ndërtojmë në qendër dhe kjo e vogla këtu me zotin Nishmaku. Këto janë principet tona për drejtimin e qytetit. Një qytet të lirë zotërinj.
Po ashtu në orët e paradites Ngjela e ka zhvilluar turin e tij elektoral me banorë të kësaj njësie bashkiake duke parë gjendjen në disa nga lagjet më të reja të ndërtuara këto vitet e fundit pranë Qytetit Studenti dhe Varrezat e Dëshmorëve.
Spartak Ngjela: Edhe në këtë zonë kam ardhur sikurse disa dita më parë për të parë diferencën midis individit dhe bashkisë. Vilat janë shumë të bukura, ndërtimet janë shumë të mira. Por s’ka infrastrukturë, janë të palegalizuara. Do të thotë që menaxhimi i bashkisë është zero./tvklan.al