Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ministri i Transporteve Spartak Poçi, ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë shkelje nga qeveria lidhur me dhënien e tenderave me prokurim të drejtpërdrejt, apo me anë të kërkesave për kuotim disa firmave për ndërtimin e rrugëve në Shqipëri.

Sipas zoti Poçi, këshilli i ministrave ka vendosur të zbatojë procedurën e prokurimit publik, pasi kjo do të vononte riparimin e disa akseve të rëndësishme rrugore. Bëhet fjalë për akset rrugore si Rrogozhinë-Elbasan, Rrogozhin-Dushkë, Dushkë-Lushnje, Sopot-Tropojë-Qafë Morinë, Vlorë-Orikum etj.

Spartak Poçi: “Mbështetur në nenin 17 dhe në nenin 22, të ligjit nr.79/71, të datës 26.07.1995, për prokurimet publike, këshilli i ministrave ka të drejtë të lejojë përdorimin e procedurës kërkesë për kuotim, për rastet kur kemi të bëjmë me prokurime ndërtimesh për të cilat ka një treg të stabilizuar. Firmat e kërkuar për t’u kuotuar për punimet e mësipërme janë tepër të njohura për mbarë opinionin publik shqiptar, si firma tepër serioze, nga firma tepër të afta më të kualifikuara të ndërtimit të rrugëve në Shqipëri dhe që deri tani kanë punuar me shume korrektesë dhe me cilësi të lartë në ndërtimin e tyre”.

Miratimi i prokurimit pa tender për ndërtimin e këtyre akseve nga qeveria është cilësuar i paligjshëm edhe nga kryetari i komisionit të ligjeve, deputeti Spartak Braho. Madje ai deklaroi një ditë më parë, se Prokuroria e Përgjithshme, duhet të hetojë dhe procedojë penalisht personat përgjegjës për miratimin e këtyre prokurimeve./tvklan.al