Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ministri i Transporteve dhe Telekomunikacionit Spartak Poçi është shprehur i gatshëm të takojë dhe të mbështesë sindikalistët e portit detar të Durrësit, të cilët dy ditë më parë kërkuan largimin e drejtorit të këtij porti, Sokol Imanit, për shkak të aferave korruptive që sipas tyre tentojnë të marrin pronat e sindikatës në port.

Spartak Poçi: “Në qoftë se sindikata e certifikon pronësinë e saj mbi këtë godinë, patjetër që do e marri. Neve ia kaluam bashkisë së Durrësit, sepse mendonin se ishte pronë edhe kështu mendojmë akoma që është pronë e portit të Durrësit dhe me një marrëveshje për të ndihmuar komunitetin dhe bashkinë e Durrësit ia dhamë këtë godinë të vendosur në një pjesë të qytetit të Durrësit, ia dhamë ta përdori porti i Durrësit. S’ka asnjë problem. Nëse ka kontradikta dhe këto nuk zgjidhen as me biseda, po ka gjyq, ka gjykata, të cilat do të vendosin përfundimisht se si është e vërteta”.

Sipas Poçit, kërkesat e sindikalistëve janë të pabazuara në kompetencat e tyre, ndërsa përsa i përket akuzave lidhur me abuzimet me detyrën e Limanit, ai shtoi se do të ndiqen të gjitha hapësirat ligjore, për të vërtetuar shkeljet. Ndër të tjera, fillimi i kanalit hyrës dhe basenit të portit të Durrësit dhe shtrimi i shesheve prapa kalatave janë dy komponentët e projektit më të fundit të financuar nga Banka Europiane e Investimeve.

Ky projekt përfshin rehabilitimin e infrastrukturës tokësore të portit me sipërfaqe 13.8 hektarë, e me një vlerë prej 10.2 milion euro, si dhe thellimin nga 7.4 metra në 10.5 metra të kanalit hyrës të trageteve dhe basenit ujor të portit me vlerë 3 milion euro./tvklan.al