Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Këto ditë do të ketë goditje të tjera ndaj elementëve të veçantë dhe grupeve kriminale. Ministri i Rendit Publik Spartak Poçi ka dhënë një konferencë për shtyp ku ka shpjeguar rezultatet e vizitës së tij në SHBA dhe zhvillimet e fundit të ndodhur në vend. Në këto takime janë hedhur piketat e bashkëpunimit mes policisë shqiptare dhe kolegëve amerikanë, në luftën kundër krimit të organizuar dhe ordiner. Për incidentin me forcat special të Vlorës në Konferencën e Tiranës ai është shprehur:

Spartak Poçi, Ministri i Rendit:- “Përsa i takon akuzavë të bëra kohët e fundit nga Nano dhe grupi i tij, këto nuk qëndrojnë fare, janë akuza të pabaza, pse jo dhe një alibi për rezultatin që pati Konferenca në disfavorin e tyre. Nuk do të ketë asnjë incident, Kongresi do të zhvillohet në një mënyrë tepër të rregullt, shumë serioze”.

Ndërsa përsa i përket faktit nëse ekziston një lidhje mes bandave të cilat janë kapur nga policia, ai ka deklaruar:

Spartak Poçi, Ministri i Rendit:- “E keni shumë gabim nëse mendoni që bandat e goditura nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Bandat edhe nga hetimi i veprimtarisë së tyre kriminale, kanë rezultuar që kanë dhe lidhje me njëra-tjetrën, pse jo dhe ndonjë bandë e goditur së fundmi ka qenë edhe koordinuese e bandave të tjera. Kështu mund të themi për bandën e Gaxhait, që shkoi në Durrës për të bërë me pagesë një vrasje. Kështu mund të themi edhe për një vrasje që ka ndodhur pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, pra janë të telekomanduara nga krimi i organizuar këto vrasje që ndoshin”.

Ministri Poçi nuk e ka mohuar faktin se ka struktura në polici, politikë dhe në drejtësi që janë implikuar me krimin. Për pa aftësi, neglizhim ose implikim janë larguar nga puna gjatë këtij viti mbi 500 policë. Sipas Ministrit Poçi punonjësit e dikasterit që ai drejton duhet të punojnë për të siguruar sa më shumë prova që dhe gjyqtari më i korruptuar të mos ketë mundësi ti liroj kriminelët./tvklan.al