Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Kreu i Ministrisë së Transporteve gjatë një inspektimi të kryer për të parë nga afër ecurinë e punimeve gjatë Korridorit 8, ka mbajtur një qëndrim të rreptë, lidhur me afatet e përfundimit të punimeve nga firmat e ndërtimit.

Spartak Poçi ka deklaruar se projektet e nisura nga firmat e ndërtimit, do të përfundojnë brenda vitit në vazhdim. Po ashtu ai kritikoi pjesë të veçanta të zbatimit të projekteve, sidomos në unazën e Elbasanit, duke kërkuar njëkohësisht prishjen e ndërtimeve pa leje në anë të saj. Këtu u theksua dhe arbitrazhi ndërkombëtar që ekziston midis shtetit dhe firmës turke Behase, e cila sipas ministrit Poçi, nuk donte dhe nuk dinte që të punonte.

Spartak Poçi: “Ideja është që punimet të intensifikohen dhe të zbatohen një për një sipas cilësisë dhe në afat të gjitha këto punime. Ne do ta ndjekim vazhdimisht edhe unë personalisht, por nëpërmjet drejtorisë së rrugëve, do ta ndjekim vazhdimisht ecurinë e punimeve me qëllim që të mos kemi ndërprerje apo ngadalësim të punimeve”./tvklan.al