Lajme Arkiva 2003
Arbën Xhaferi: Disa procese në përgjithësi në hapësirat ku jetojnë shqiptaret, nuk kanë përfunduar. Ju e dini se statusi i Kosovës akoma nuk është zgjidhur përfundimisht. Aty paraqiten 3 opsione. Opsioni i parë më pak i besueshëm është që Kosova të trajtohet si pjesë e unionit të ri Serbi-Mal i zi. Ka zëra që e mbështesin këtë ide në qarqe të ndryshme. Opsioni i dytë është ndarja e Kosovës. Opsioni i tretë është pavarësia. Nëse hapët opsioni i dytë ka gjasa të mëdha meqë serbët tashmë kanë okupuar një pjesë të Kosovës atëherë, kjo zgjidhje do të krijojë efekte vargore edhe në hapësira të tjera ku jetojnë shqiptarët, pra ekziston mundësia që edhe shqiptarët e Maqedonisë ta përdorin në princip ashtu sikurse serbët në Kosovë të kërkojnë ndarjen e pjesë ve ku shqiptarët janë në dominancë. Nga ana tjetër, opsioni i tretë, pra Kosova e pavarur me siguri se serbët do të kushtëzojnë me një sasi dhe cilësi tepër të lartë të të drejtave dhe ky opsion do të krijojë kundër efekte në Maqedoni, meqë shqiptarët do të kërkojnë të drejtat që i kanë marrë të tjerët në hapësirat ish jugosllave që do të jenë konform me disa standarde ndërkombëtare dhe kapacitetin politik, ekonomik, etj, të shqiptarëve.
Gazetari: Zoti Xhaferi në hapësirën shqiptare ka pasur zhvillime siç thoni ju të ndryshme dhe që fatmirësisht në fundshekullin e kaluar kanë qenë disi në favor të shqiptarëve. A besoni se bashkimi në një shtet të vetëm nuk është më një herezi? Dhe mbi të gjitha a besoni se kjo do të jetë një zgjidhje përfundimtare për të përcaktuar më qartë jo vetëm kufijtë e Ballkanit, por edhe të ecurisë së mëtejshme të bashkëjetesës mes popujve?
Arbën Xhaferi: Unë mendoj se krijimi i një shteti etnik nuk është projekt i shqiptarëve, por është projekt i të tjerëve. Të tjerët që janë në një proces të krijimit të shteteve të tyre etnike që në mënyrë kauzale ndikon që edhe shqiptarët të hapin këtë opsion për vetvete. Nëse merrni parasysh se Marrëveshja e Ohrit nuk implementohet për shkak se pala maqedonase po refuzon ta implementoj deri në fund këtë marrëveshje edhe në mënyrë cilësore edhe në mënyrë sa më të shpejtë që shkakton nervozizëm dhe natyrisht procese të tjera politike. Pra refuzimi i të tjerëve që të pranojmë një koncept real dhe funksional ndaj shtetit multi etnik do të shkaktoj procese të tjera politike në të gjitha këto hapësira. Ju e dini se në hapësirat ish jugosllave zhvillohen procese paradoksale. Paradoksi i parë është rrënimi i shoqërisë multietnike në Bosnjë dhe ndërtimi i shtetit multietnik në Bosnjë. Bosnja ishte hapësira më multietnike ku ekzistonte një interaksion funksional mes komuniteteve të ndryshme etnike. Ky interaksion multietnik që ekzistonte në Bosnjë u shkatërrua dhe u ndërtua shteti multietnik, ndërtimi i shtetit multietnik është opsion politik, jo realitet i Bosnjës. Po ashtu në Kosovë është rrënuar shoqëria multietnike, por si opsion politik ndërtohet shteti multietnik. Serbët sillen si shtet ndër shtet, pra në enklavat e tyre respektojnë vetëm ligjet serbe ndërkaq nuk respektojnë kornizat kushtetuese të Kosovës. Në Maqedoni jemi në mes të rrugës. Nuk funksionon as shoqëria multietnike as shteti multietnik. Opsioni përfundimtar i PDSH-së është që të funksionoj edhe shoqëria multietnike edhe shteti multietnik. Por kjo është e vështirë. Në qoftë se nga pala maqedonase refuzimet do t jenë tepër të qarta, atëherë nuk shikojë arsye përse shqiptarët të mos e hapin atë kartën e tyre si pasojë e refuzimeve të fundit.
Gazetari: Zoti Xhaferi përse mendoni se Tirana nuk e mbështet idenë e krijimit të shteteve etnike?
Arbën Xhaferi: Është e qartë që Shqipëria nuk mund të jetë vetëm në funksion të interesave kombëtarë, por duhet të jetë edhe në funksion të interesave shtetërore. Shpesh herë në politik interesat shtetërore nuk përputhen me ato kombëtarë. Prandaj në vite mbrojtjes së interesave shtetërore shfaqen këto tone disonante me interesin kombëtar. Mirëpo unë mendoj se shteti shqiptar, gjithsesi duhet ta ruaj nacionalitetin dhe gjithsesi duhet të nxisë ato procese që vetvetiu janë progresive. Procesin historik asnjë politik nuk mund ta ndalë kështu që në Jugosllavi që sapo u shthurr e kishte mbështetjen e faktorit ndërkombëtar dhe dënoheshin të gjithë ata elemente nacionalist që ishin kundër Jugosllavisë. Ky ishte procesi historik. Këtë proces historik nuk arritën ta ndalnin as Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara të Amerikë, as Evropa, Jugosllavia definitivisht dështoi.
Gazetari: Pra ju zoti Xhaferi mendoni se sikurse nuk mund të shpërbehej Jugosllavia apo dhe ish bashkimi sovjetik, mund të kemi shpresa ne shqiptarët për të qenë në një shtet të përbashkët?
Arbën Xhaferi: Unë mendoj se procesi historik andej shkon. Procesi politik është kundër këtij procesi historik mirëpo procesi politik është proces artificial i krijuar nga njeriu. Sa do të ketë financa, sa do të ketë gatishmëri tjetër politike që në mënyrë artificiale po e mban gjallë, këtë shoqëri që përbrenda nuk funksionojnë si shoqëri multietnike por si shtet funksionojnë unë mendoj se është çështje e hapur dhe diskutative. Ne duhet të kemi të qartë se shoqëritë multietnike nuk funksionojnë. Por si kundër reagim kemi funksionimin e shteteve që me dhunë u krijuan si shtete multietnike.
Gazetari: Përse mendoni se armata kombëtare shqiptare sulmohet dhe çfarë qëndrimi do të mbani ju më tej kundrejt këtij grupimi?
Arbën Xhaferi: Ne nuk mbështesim as Armatën Kombëtare Shqiptare, as politikën e tyre, por mbështesim një fakt historik, një realitet./tvklan.al