Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Vetvritet se e rrinte i shoqi, tenton të vrasë veten, e dhunonte i dashuri. Janë këto disa nga kryeartikujt e gazetave, apo lajmeve që hapin edicionet informative në televizionet shqiptare pothuajse çdo ditë. Viktimat e dhunës së burrave janë të shumta në të gjithë botën, por në Shqipëri numri i tyre është tepër i madh.

Më e keqja është se këto gra e vajza të keqtrajtuara psikologjikisht apo fizikisht, shpesh herë i nënshtrohen dhunës që ushtrohet mbi to, pa bërë asgjë për t’i shpëtuar kësaj dhune. Vitet e fundit janë shtuar shumë qendrat e këshillimit për gratë dhe vajzat e keqtrajtuara, por jo të gjitha këto viktima të dhunës gjejnë guximin për t’ia treguar historinë e tyre dikujt tjetër.

Drejtuesja e një prej qendrave këshillimore për gratë e dhunuara Silvana Mirija thotë, se kohët e fundit femrat shqiptare sikur e kanë mposhtur këtë ndrojtje dhe kjo duket tek numri i madh i grave që vijnë në qendrën që ajo drejton, për t’u këshilluar ballë për ballë, apo këshillim telefonik. Një prej viktimave të dhunës së bashkëshortit të saj është edhe Bruna nga Berati.

Silvana tregon, se kur Bruna erdhi në strehën e qendrës, mendonin se nuk do ta merrte kurrë veten. E martuar në moshën 16-vjeçare, me një djalë nga Shqipëria e Mesme, pa dëshirën e babait të saj, Bruna mendonte se do të gjente ngrohtësinë familjare që i kishte munguar, që prej vdekjes së nënës së saj, por menjëherë pas muajit të parë të martesës, i shoqi filloi të sillej në mënyrë të ashpër me të.

Mungesa e parave dhe dehjet e përditshme ishin shkaqet që acaruan në fillim marrëdhëniet e tyre. Pas lindjes së vajzës së parë, Bruna tregon, se të nxirat në trupin e saj ishin të panumërta. Bruna thotë, se shpesh i ka shkuar ndërmend të vrasë veten, madje ka tentuar të presë damarët e duarve, por nuk ka gjetur guximin ta bëjë pasi ka menduar për fatin e dy vajzave të saj.

Bruna:- “Kam tentuar të bëjë dy vrasje nga veten, desha të vrisja veten”.

Silvana Mirija:- “Me gjithë frustacionet dhe me gjithë devijimet që mund të vijnë si pasojë e ushtrimit të dhunës, mund të pritet që një grua e dhunuar përveçse të bjeri në depresion, përveçse të keqtrajtojë fëmijët e vetë, përveçse të mos veprojë në mënyrë evidente në shoqëri, të bëjë edhe një reagim anormal, sepse gjithë jeta e saj mund të ketë qenë një normalitet shumë i madh, kështu që ato janë të pritura për të kryer vepra agresive”.

Rasti i Brunës është një nga mijëra gratë që dhunohen çdo ditë./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka