Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Enkel Demi: Zoti president, dje jemi informuar për një letër konfidenciale, që zoti Kris Paten i kishte drejtuar kreut të qeverisë zotit Fatos Nano, po ashtu jemi informuar edhe për një konferencë shtypi që ka mbajtur ambasadori Salzman, ku Shqipëria paralajmërohet, që në qoftë se nuk kryen zgjedhje në vitin 2005 të rregullta, do të ngrihen marrëdhëniet e Marrëveshjes për Asociim Stabilizimin. Cili është komenti juaj?

Sali Berisha: “Komenti im është ky, Shqipëria përbën një rast unik, në të cilin kambanat, që gjithmonë bien për të gjallët, nuk dëgjohen. Në të vërtetë kambanat e procesit të integrimit po bien, kambanat e bllokimit të tij janë të qarta, por mendësia, se pse nuk dëgjohen duhet shtruar pyetja, pse në Shqipëri nuk dëgjohen kambanat? Në Shqipëri nuk dëgjohen kambanat, nga qytetarët dëgjohen sigurisht, nga shoqëria civile dëgjohen gjerësisht, nga bota akademike dëgjohen, nga partitë opozitare dëgjohen, por kambanat nuk dëgjohen nga ata për të cilët bien. Nuk dëgjohen nga qeveria dhe qeveritarët e sotëm, të cilët, mendësia kriminale, apo inkriminimi total i mendësisë së tyre, për shkak të aferave të pista me të cilat janë të lidhura, për shkak të klaneve të ekonomisë kriminale, që qëndrojnë prapa tyre, bëjnë që këto kambana të mos dëgjohen. Letra e shkojtur nga komisioneri Paten dhe deklarata e ambasadorit Salzman, japin alarmin për faktin se, në rast se merret raporti i BE-së, i lëshuar në Mars, i cili trajton në mënyrë konkrete të gjithë problematikën madhore të vendit, në raport me procesin e integrimit, nga procesi zgjedhor tek transparenca në dogana, nga lufta kundër krimit, tek pushteti gjyqësor dhe reforma gjyqësore, konstaton se janë bërë në vend numëro, ose hapa prapa. Po marrë vetëm dy aspekte atë që ju deklaruat procesin zgjedhor, me bllokimin total të procesit të reformës zgjedhore që PS dhe Fatos Nano kanë bërë. Unë mund të them, se ata kanë hedhur poshtë gjatë këtyre muajve të fundit, me dhjetëra herë, propozime pas propozimesh të bëra nga ekspertë ndërkombëtar për reformën zgjedhore…”

Enkel Demi: Folëm për zgjedhjet që në fillim të kësaj bisede dhe ndërkohë mësojmë, që zyra e OSBE-së në Tiranë ka propozuar dy variante, grupi i saj i ekspertëve, për të realizuar balancimin e KQZ. Varianti i parë është që të mos kemi më 7 anëtarë, por të kemi 6, pra 3 opozita – 3 shumica dhe varianti i dytë është që të ndërrojmë nenin 154 të Kushtetutës. Juve si kryetari i partisë më të madhe opozitare, për kë variant jeni?

Sali Berisha: “Ne kemi qenë të gatshëm për dy variantet dhe që të dy variantet janë hedhur poshtë nga zëdhënësit e Nanos”.

Enkel Demi: Pra në një farë mënyre është prishur kompromisi?

Sali Berisha: “Absolutisht nuk ekziston një kompromis, sepse PS me përfaqësuesit e saj ka bërë të qartë, që nuk pranon asnjë nga rekomandimet themelore në fakt të ODHIR-it”.

Enkel Demi: Atëherë çfarë kuptimi ka që të ekzistojë komisioni parlamentar për reformën zgjedhore, që deri tani është PD-PS, po mesa duket do të futen edhe partitë e vogla.

Sali Berisha: “Kjo është një përpjekje madhore e komunitetit ndërkombëtar, për të mundur me dhënë një përgjigje kërkesave të paraqitura nga ODIHR-i. Në të gjitha etapat, unë e kam bërë të qartë qëndrimin tim. Ne do të marrim pjesë, nuk paragjykojmë, jemi të vendosur që të japim çdo kontribut në këtë drejtim, por kam shprehur bindjen time në këto takime, se Fatos Nano nuk mund të pranojë në asnjë rrethanë, një reformë që pengon atë të manipulojë zgjedhjet”.

Enkel Demi: Pse e personalizoni, kur thoni Fatos Nano, jo Partia Socialiste?

Sali Berisha: “Pse e personalizoj, shumë e drejtë. Them Fatos Nano, sepse në vitin 2000, për herë të parë në histori, Fatos Nano emëroi në krye të KQZ, Fotaq Nanon, kushëririn e tij të parë, i cili u detyrua të japë dorëheqjen nga presioni ndërkombëtar për shkak, se u dha zgjedhjeve një zgjidhje “alla Nano”. Në zgjedhjet e vitit 2001, shpiku kandidatët e pavarur, duke dhunuar parimin fondamental të zgjedhjeve, një njeri një votë. Ai me kandidatët e pavarur donte të bënte që një socialist një votë e gjysmë, një shqiptar tjetër gjysmë vote, duke marrë dhe mandate nga lista. Në ndikimin e madh të presionit ndërkombëtar dhe reagimit të opozitës, u detyrua të tërhiqet nga i pari. Krijoi zonën 60, famëkeqe, humbi legjitimitetin për të zgjedhë presidentin. Zgjodhën presidentin konsensual me një marrëveshje historike, më të favorshmen për një kryeministër të një vendi. Theu klauzolë për klauzolë, marrëveshjen. Nuk po marr rastin e Papadhimës dhe papadhimove, por po marr dy gjërat kryesore, presidentin konsensual dhe reformën zgjedhore. Nga një president konsensual përfunduam me një president totalisht të bllokuar, ku edhe emërimi i një gazetari për KKRT i rrëzohet edhe emërimi i gjykatësit i rrëzohet, ku detyrohet të emërojë bajlozët e korrupsionit të deklaruar nga vetë kryeministri, Angjelin dhe Finon, pra përfunduam në një institucion totalisht të paralizuar, sepse të gjithë pushtetin e mori Nano në duar…”/tvklan.al

Gazetar: Enkel Demi