Lajme Arkiva – Tv Klan 2000
Strasburgu, qyteti kufitar francez, po shndërrohet gjithnjë e më tepër në zemrën e Europës, në qytetin ku politika nuk i njeh kufijtë e vjetër Lindje-Perëndim. Në këtë qytet katër herë në vit gjatë një jave mblidhet Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, e përbërë nga 582 anëtarë të zgjedhur nga 41 parlamente. Këshilli i Europës ka një status të bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut, mbrojtjen e minoriteteve, zgjidhjen e problemeve shoqërore, përkrahjen e reformave politike, legjislative e kushtetuese.
Ky organizëm europian dallon nga Bashkimi Europian, i cili përmbledh vetëm 15 shtetet më të zhvilluara Europiane. Një herë në muaj eurodeputetët e 15 shteteve të BE-së, zhvendosen nga Brukseli në godinën e re të Parlamentit Europian në Strasburg. Këshilli i Europës financohet nga qeveritë e shteteve anëtare, sipas popullsisë dhe pasurisë që ka secili shtet. Pranë Këshillit të Europës që nga viti 1959, funksionon Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo gjykatë funksionon për secilin individ dhe vendimet e saj janë detyruese për të gjitha shtetet europiane. Në këtë gjykatë ushtron profesionin e tij edhe gjykatësi shqiptar Kristaq Traja.
Në rezolutën e miratuar për Shqipërinë Këshilli i Europës vlerëson ecurinë e reformave dhe hapat në vendosjen e rendit. Rreth 30 vëzhgues të KE do të vëzhgojnë zhvillimin e zgjedhjeve lokale të Tetorit. Gjatë debateve eurodeputetët e konsideruan të ligjshëm ligjin e ri elektoral. Opozita ftohet të zërë vendet në KQZ, komisionin parlamentar të Paktit të Stabilitetit dhe në Këshillin Drejtues të RTVSH.
Kosova ka zënë një vend të veçantë në debatet e KE. Kryeadministratori i OKB-së Bernard Kushner, paraqiti pregatitjet për zgjedhjet lokale të vjeshtës dhe nxitjen e popullsisë për t’u rregjistruar në listat e votimeve. Debatet mbi Maqedoninë dhe Çeçeninë shënuan mbylljen e punimeve të këtij sezoni të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame