Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ilir Meta:- “Të dashur motra e vëllezër socialistë. Konferenca e sotme e PS të Tiranës, shënon një moment shumë të rëndësishëm analize dhe reflektimi, për organizatën më të madhe të socialistëve shqiptarë, në prag të kongresit tonë të 6-të. Ndaj ndihem sot i privilegjuar, që të flasë përpara jush dhe njëkohësisht t’ju përshëndesë të gjithë juve dhe të gjithë socialistët e Tiranës dhe të gjithë votuesit tanë, që përsëritën një fitore të jashtëzakonshme dhe shumë të rëndësishme fitoren më të thellë elektorale në vend në zgjedhjet e 12 Tetorit dhe të gjithë ju dhe gjithë elektorati ynë meriton t’i gëzohet kësaj fitoreje legjitime dhe të merituar, pavarësisht përpjekjeve të dështuara, të hapura, apo të fshehura për ta zhvlerësuar atë. Por kjo fitore është e pakontestueshme dhe padyshim që do të konfirmohet edhe në 28 Dhjetor, sepse sikurse tha dhe kryetari i PS së Tiranës, shoku Ulqini, fitorja në Tiranë është mjaft serioze dhe spektakolare, që tregon se baza elektorale e PS në kryeqytet nuk është lëkundur aspak. Kjo konferencë shënon gjithashtu një moment shumë të rëndësishëm, sepse ajo mblidhet në momente kritike për PSSH dhe ku haptazi ballafaqohen dy mentalitete, dy kultura, dy platforma, dy rrugë administrimi politik e menaxhimi qeverisës, dy filozofi politike, si dhe tre shokë, kandidatë si kryetar partie? Është për të ardhur keq, që kjo periudhë elektorale partiake, nuk është dominuar sa duhet nga debati konstruktiv dhe parimor mbi të ardhmen socialiste dhe qeverisjes tonë, nga konkurrenca e ndershme, demokratike e transparente, por është zëvendësuar nga një fushatë e pa principtë shpifjesh dhe denigrimi ndaj atyre shokëve që mendojnë ndryshe, që kanë kurajën të ofrojnë alternativa drejtimi e orientimi politik në PS dhe të majtën në tërësi, për të qenë fitues për të qenë fitues në kompeticionet e ardhshme elektorale dhe për t’i shërbyer sa më mirë elektoratit që na beson me votën e tij.

Duke ndjerë përgjegjësi politike, ndaj jush dhe të gjithë socialistëve të thjeshtë, atyre që janë larg kulisave të pragkongresit, ndaj forcës politike dhe shokëve, që më kanë besuar gjatë këtyre viteve, jo vetëm duke më mandatuar dy herë kryeministër të vendit, por edhe disa detyra të rëndësishme partiake e shtetërore, si dhe duke parë me realizëm gjendjen e vështirë nuk mund të hesht dhe nuk kam për të heshtur dhe nuk mund të mos denoncojë rezultatet e dobëta të qeverisjes së vendit. Me keqardhje konstatoj, se nuk jam i vetmi që beson se lidershipi aktual është zhytur jo vetëm në demagogji, por edhe në një gjueti shtrigash, për të nxjerrë dhe fabrikuar armiq dhe për të zhvendosur përgjegjësinë nga struktura drejtuese qeverisëse dhe partiake, drejt armiqve të caktuar në këto struktura, apo edhe drejt armiqve të caktuar edhe në bazën socialiste. Gjithashtu, nuk jam i vetmi që beson, se kjo filozofi dhe të tilla qëndrime nuk bëjnë asgjë tjetër vetëm se i shërbejnë rikthimit të frikshëm të opozitës së vjetër destruktive dhe liderit të saj destruktiv. Tani unë besoj, për të gjithë ata që nuk kanë durim të dëgjojnë, unë besoj që diskutanët pas meje, ju lutem, besoj që diskutantët pas meje, ndonjë prej tyre mund edhe të tërhiqet, në mënyrë që unë të kem mundësi të flas pak më gjatë. Së dyti, mua nuk më ka ndalur Sali Berisha me mitingashët e tij me automatik, për të folur me socialistët në shesh të Tropojës dhe jo të më ndalin këtu disa njerëz të futur për të më provokuar. PS nuk mund të jetë hipokrite …”

Rexhep Mejdani:- “Të nderuar delegatë të konferencës, më lejoni që të shfaqë në këtë konferencë disa mendime mbi situatën politiko-ekonomike dhe zhvillimin e saj, por dhe disa refleksione mbi reformimin e mëtejshëm të PS. Në radhë të parë po marr pjesë në këtë konferencë të partisë, më shumë si anëtar i PS së Tiranës, sesa një konkurrent për kryetar partie në kongresin e 12 Dhjetorit. Siç e kam nënvizuar, mospjesëmarrja në konferenca, si një arsye bazë, ka pasur shqetësimin dhe zhvillimin e tyre brenda një kornize sa më normale, madje pa ngarkesa emocione, sharje, përplasje, skandale, apo ovacione të panevojshme. Fillimisht u tentua me krijimin e një klime bashkëkohore, për një kandisim midis shokësh, por kjo u keqinterpretua madje u banalizua çuditshëm nga disa shokë të udhëheqjes së partisë me litra benzine. Futja e një fryme aspak miqësore ndaj konkurrimit alternativ, këtë e ushqeu në mënyrë jo qytetare, deri anti-intelektuale dhe fushata e ndërmarrë në vetë agjendën e partisë, në kundërshtim të hapur me vendimin e PD, për barazi të këtij organi ndaj çdo kandidimi alternativ. Nuk arrijë të kuptojë sesi personalitete përfaqësuese e themeluese të partisë, si Limoz Dizdari, Sabit Brokaj, Ndre Legisi, Eduard Alushi, Flamur Rrogu etj, të përjashtohen me votë agresive nga përfaqësimi në kongres, ndërkohë që disa individë të dyshimtë dhe pa ndonjë kontribut konkret në parti, arrijnë të përfaqësohen deri në kongres …”

Edi Rama:- “Anëtarët e së njëjtës familje, qofshin kur përfaqësojnë shumicën, qofshin kur përfaqësojnë pakicën, qofshin kur përfaqësojnë vetveten, meritojnë të dëgjohen, kur marrin kurajën të hipin në podium, kur marrin përgjegjësinë të shprehin mendime të cilat mund të mos i pëlqejnë shumicës së sallës. Unë nuk e kuptoj dot se çfarë pune më të madhe kishit ju për të bërë, që kërkonit shkurtimin e kohës së diskutimeve. Çfarë ju priste ju më shumë sot në shtëpitë tuaja, se sa interesi i PS, se sa domosdoshmëria për të dalë nga kjo situatë, se sa nevoja për të rigjetur njëri-tjetrin, për cilat ide flisni ju, për cilat platforma e programe flisni ju, që nuk keni durimin të dëgjoni, kur të tjerët flasin. Idetë janë gjëja më e brishtë në komunikimin mes njerëzve. Unë nuk mendoj se ideja e mendimit ndryshe është një ide e re, por unë nuk mendojë, se në një parti ku lulëzon mendimi ndryshe, sallat bërtasin rroftë kryetari …”/tvklan.al