Erisa Zykaj: “Mbështetja e Parlamentit Evropian dhe e shteteve anëtare për heqjen e vizave afatshkurtra për qytetarët shqiptarë është shprehur nëpërmjet shumë deklaratave këtë javë, por Euroklan ka përzgjedhur deklaratën më të rëndësishme të momentit, që është ajo e komisioneres për drejtësinë dhe punët e brendshme, Cecilia Malstrom.”
Cecilia Malstrom: “Unë dhe komisioni jemi të angazhuar në këtë drejtim dhe unë jam takuar edhe me përfaqësuesit e Shqipërisë dhe Bosnjës. Ajo që pres tani është të finalizohet raporti i ekspertëve dhe unë pastaj do të lexoj të dyja raportet. Përshpejtimi varet sigurisht nga rezultatet e vetë vendeve. Ne kemi vendosur kritere, vendet e dinë se çfarë duhet të bëjnë, dhe ne mundohemi që të ndihmojmë, por përshpejtimi i marrjes së vendimit lidhet me progresin e këtyre vendeve.”
Një grup eurodeputetësh ishin kohët e fundit në Shqipëri. Ata deklaruan se janë të kënaqur me përmbushjen e kritereve teknike.
Erisa Zykaj: “Sa inkurajuese është kjo për ju që të hartoni një raport pozitiv?”
Cecilia Malstrom: “Kjo është sigurisht shumë inkurajuese. Unë jam në kontakt me eurodeputetët dhe ne kemi dialog midis nesh, por Komisioni Evropian ka ekspertë të shteteve anëtare që e shohin përmbushjen e këtyre kritereve në aspekt shumë teknik, por procesi duhet të jetë i tillë. Ai duhet të jetë shumë teknik për të qenë i besueshëm. Këto raporte po finalizohen dhe shpresoj t’i marr sapo të mbarojnë Pashkët që t’i studioj dhe të nxjerr konkluzionet.”
Erisa Zykaj: “Ndërkohë, derisa heqja e vizave afatshkurtra të konkretizohet rreth fundit të vitit, një kod i ri i Bashkimit Evropian për vizat afatshkurtër do të jetë në fuqi, duke filluar nga 5 Prilli”.
Kodi i ri i vizave i Bashkimit Evropian synon të ndreqë ankesat e aplikantëve në të kaluarën, por gjithashtu edhe mundësinë e dhënies së vizave shumë hyrje-dalje, atyre që kanë respektuar dhe respektojnë kthimin në kohë.
Ndërkohë, duke qenë se sistemi është i përbashkët, një person që konsiderohet i padëshirueshëm nga një shtet, në parim refuzohet edhe nga shtetet e tjera, por për arsye të jashtëzakonshme, këtij personi mund të jepet vizë nga një ose dy shtete.
Jan de Koester: “Ne duhet të pranojmë se në të shkuarën dhënia e vizave nuk ka qenë miqësore për qytetarët e vendeve të treta. Ka pasur radhë shumë të mëdha para konsullatave. Aplikantët duhet të prisnin deri në dy muaj për të marrë një vizë dhe ka mbizotëruar ndjesia se vizat jepeshin në mënyrë arbitrare. Kjo gjë ndryshon në kodin e ri të vizave. Ky kod mundëson gjithashtu që njerëzit të respektojnë kthimin e përcaktuar në vendin e tyre dhe t’u jepet viza me shumë hyrje-dalje për të lehtësuar jetën e tyre.”
Kodi i ri i vizave synon gjithashtu që t’u japë të drejtë qytetarëve të shteteve të treta, që kanë një leje qëndrimi të rregullt në njërin nga shtetet e Bashkimit Evropian të qarkullojnë për tre muaj në shtetet e tjera të Shengenit.
Cecilia Malstrom: “Nga 5 Prilli, kodi i ri i vizave i BE-së do të lehtësojë procedurën për aplikimin e mijëra aplikantëve në të gjithë botën. Do të jetë një sistem më i ndershëm, transparent dhe më i thjeshtë për çdo individ duke e krijuar kështu një sistem të vërtetë të harmonizuar të Shengenit. Ekzemplari i vizave mbetet i njëjtë, por nëse deri tani shtetet e Shengenit kanë patur procedura të ndryshme ajo do të bëhet e njëjtë për të gjithë zonën Shengen. Formulari i aplikimit është thjeshtëzuar, duke bërë më të lehtë plotësimin e formularëve nga aplikantët. Për të siguruar harmonizimin e plotë të sistemit të Shengenit, kodi i ri i vizave përcakton një afat maksimal për aplikimin. Afati i vendosur për aplikantët është një maksimum dyjavësh për të marrë takim për të filluar procedurën e aplikimit për vizën dhe 15 ditë për shtetin anëtar, që të marrë vendimin për aplikimin.”
Bashkimi Evropian do të reduktojë gjithnjë e më shumë ndihmën financiare të drejtpërdrejtë për fermerët lidhur me prodhimin e një produkti.
Bujqit që marrin 5 mijë euro për prodhimin e një produkti janë të detyruar që 5% të kësaj vlere ta transferojnë për buxhetin e zhvillimit rural. Kjo përqindje do të dyfishohet në 2014.
Ndihma për fermerët do të kushtëzohet gjithnjë e më shumë me respektin e natyrës, mirëmbajtjen e kafshëve dhe cilësinë e produkteve.
Përsa i përket ndërhyrjes së shtetit, ajo do të shkojë drejt reduktimit për shumë sektorë. Nga këto masa do të përfitojnë edhe bujqit shqiptar duke qenë se ato do të zbatohen nga 2014-ta deri në 2020-tën. Për momentin është sektori i qumështit që përfiton nga mbështetja e Bashkimit Evropian.
Dacian Ciolos: “Ne kemi vendosur t’i japim ndihmë financiare sektorit të prodhimeve të qumështit pasi fakti që kriza është kthyer në nivelin e çmimeve të para krizës tregon se fermerët nuk kanë arritur që të mbulojnë humbjet e tyre gjatë fundit të vitit të kaluar. Ju e dini se fermerët veprojnë mbi një bazë afatmesme dhe afatgjatë. Ata duhet të bëjnë shumë investime për periudhën afatgjatë në mënyrë që t’i bëjnë ballë konkurrencës për të blerë dhe mirëmbajtur kafshët, për të blerë lëndën e parë, duke marrë shumë kredi që ata duhet ta shlyejnë çdo vit pavarësisht se çmimi me të cilin blen produktet e tyre është i mirë apo i keq. Paketa financiare që kemi aprovuar do të mbulojë një pjesë të humbjes që ata kanë patur dhe sipas shumë gjasave, kjo paketë nuk do të mund të kompensojë të gjithë humbjen.”
Elena Espinosa: “Ajo që po hartojmë për periudhën pas 2013 është një paketë e masave të asaj që do të formojë politikën e përbashkët bujqësore të BE-së. Nëse këto masa aprovohen nga një shumicë absolute e këshillit të ministrave, atëherë ne do të përcaktojmë edhe koston e këtyre masave. Politika e përbashkët e bujqësisë përbën 7% të punësimit në Evropë. Ajo është e përfshirë në prioritetet e Evropës 2020 për një Evropë të zgjuar, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.”
Erisa Zykaj: Euroklan mbaron këtu këtë javë. Mirupafshim në javën e ardhshme për ngjarje të reja mbi Evropën dhe Ballkanin.”/tvklan.al
Gazetare: Erisa Zykaj