Ky kaos në trafikun e kryeqytetit, me të cilin përballemi çdo ditë, mund të merrte fund fare thjesht me ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës.
Teorikisht, të gjithë ekspertët, pa dallim rreshtimi politik, e mbështesin këtë ide. Praktikisht, Unaza vijon të mbetet në fazat fillestare projektuese.
Mungesa e dialogut mes bashkisë së kryeqytetit dhe pushtetit qendror vijon të mbajë peng ndërtimin e Unazës së Madhe të kryeqytetit.
Mese 20 kilometra e gjatë, Unaza e Madhe do të kanalizonte një pjesë të rëndësishme të trafikut urban, si dhe të lidhjeve mes komunave dhe akseve kombëtare.
Projekti për ndërtimin e kësaj Unaze ka kohë që diskutohet si në nivel bashkie, ashtu dhe pushteti qendror.
Edhe një segment fare i shkurtër nga dogana e Tiranës deri tek shkolla teknologjike që është ndërtuar disa vite më parë mund të lihet jashtë projektit, pasi gjurma e Unazës mund të zgjerohet.
Qeveria po studion mundësinë e dhënies me koncesion të pjesës së ngelur të Unazës. Suzana Guxholli, këshilltare e kryeministrit për ekonominë, pohon interesin e shprehur nga ana e disa kompanive të huaja.
Suzana Guxholli: “Katër kilometra i takojnë bashkisë së Tiranës dhe 16, domethënë tre të katërtat e kësaj rruge, shtrihen në katër komunat të zonës rreth Tiranës. Një formë shumë e efektshme deri tani e provuar tashmë në Shqipëri është koncesioni, prandaj kërkesat për koncesion të kompanive qeveria shqiptare po i studion me përgjegjësi dhe seriozitet, është pra shumë e madhe mundësia që kjo pjesë tre të katërtat të jepen me koncesion.”
Studimet tregojnë se nëse sot Unaza e Madhe do të ishte funksionale, të paktën një në çdo dhjetë automjete që qarkullojnë në territorin e vendit do të kalonte çdo ditë në të.
Sipas Bashkisë së Tiranës, Unaza e Madhe parashikohet që të përballojë një trafik mbi 20 mijë kalime në ditë, që në momentin e parë.
Duke llogaritur një rritje trafiku prej mesatarisht 7% në vit kjo rrugë parashikohet të përballojë një trafik prej 38,000 automjetesh në ditë pas pesë viteve të para.
Pjesa e Unazës së Madhe që i takon bashkisë ka një gjatësi prej rreth 5.2 kilometrash dhe është projektuar të kalojë në zonën e Selitës, pranë kopshtit botanik dhe zoologjik.
Fjorald Zguro: “Më pas gjurma e Unazës së Madhe, sipas projektit të bashkisë, vazhdon tek kodrat e liqenit artificial për të vijuar më tej tek kodrat e Saukut, që siç shihet është një zonë ende e pa urbanizuar mirë.”
Gjurma e Unazës lidhet më pas me rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit.
Nga kjo pikë dhe në vijim, Ministria e Punëve Publike po studion variantet e mundshme për ndërtimin e Unazës, përfshi këtu edhe tunele.
Prej këtu fillon një segment 17.5 kilometra i gjatë, pikërisht 500 metra para kryqëzimit aktual në rrugën kombëtare Tiranë-Elbasan në Sauk duke vazhduar në rrugën përgjatë Sanatoriumit. Këtu mendohet që të ndërtohen disa vepra arti, përfshi dhe tunele.
Gjurma e Unazës së Madhe vijon më pas tek depoja e ujit, pyjorja. Më pas kalon pranë Institutit të Veterinarisë, përroit të Qesarakës, për t’u bashkuar me pjesën e Unazës për të cilën është gati projekti në urën e Brarit.
Ernest Noka: “Kemi evidentuar që ndërtimi i Unazës së Madhe të Tiranës do ta lehtësonte shumë lëvizjen e trafikut, sidomos duke patur parasysh edhe skemën totale të zhvillimit të akseve kryesore të Shqipërisë, siç është Rruga e Arbrit, apo siç është rruga Tiranë-Elbasan, të cilat me ndërtimin e tyre do të sjellin, do të gjenerojnë trafik shumë më të madh se sa i sotshmi. Ministria në bashkëpunim me nivelin e përgjithshëm të rrugës së hartuar për zbatimin për seksionin më të rëndësishëm të kësaj unaze, që është seksioni nga ura e Brarit deri tek ura e Kamzës, prej rreth shtatë kilometra.”
Ndërsa Bashkia e Tiranës thotë se ka hartuar projektin teknik të kësaj unaze në konsultim me specialistë të huaj dhe priten procedurat e shpronësimit nga ana e qeverisë.
Përfaqësuesi i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në vendin tonë, Daniel Berg, pohoi për Televizionin Klan gatishmërinë për financimin e një pjese të Unazës së Madhe që i takon bashkisë së kryeqytetit.
Sipas Berg, bashkia dhe qeveria duhet të ndihmojnë njëra-tjetrën në funksion të ndërtimit të kësaj unaze.
Daniel Berg: “Kemi financuar Unazën e Vogël dhe jemi në negociata për të bërë të njëjtën gjë edhe për rreth 5.5 kilometra të Unazës së Madhe. Shuma e financimit është rreth 20 milionë euro, ku nuk përfshihen kostot për shpronësimet. Brenda këtij viti, besojmë se duhet të arrihet nënshkrimi i marrëveshjes. Duhet që si pushteti qendror, ashtu edhe ai vendor të bashkëpunojnë për t’i hapur rrugën sa më shpejt implementimit të këtij projekti.”
Bashkia e Tiranës vendosi disa ditë më parë të hapë punimet në Sheshin Skënderbej, por çfarë do të ndodhë me trafikun?
Në këtë shesh kanalizohet trafiku që mbërrin nga disa rrugë kryesore në Tiranë, por shumë shpejt qarkullimi i automjeteve do të bllokohet, duke shkaktuar një kaos në trafik.
Vetë qytetarët mendojnë se bashkia duhet të kishte menduar për Unazën e Madhe, e më pas të bllokonte trafikun në qendër të kryeqytetit.
“Pa diskutim Unaza e Madhe. Unaza e Madhe është zgjidhja e para, pastaj mund të vijnë këtu te sheshi.” Kjo Unaza e Vogël nuk zgjidh gjë njëherë. Kjo Unaza e Vogël është një rrugicë e Tiranës, si gjithë rrugicat e tjera. Unaza e Madhe është e domosdoshme.”
“Patjetër, Unaza e Madhe një herë, pastaj të bëhet qendra për arsye sepse trafiku është shumë i rënduar në Tiranë.”
“Po normale që do ishte më mirë të bëhej Unaza e Madhe, megjithëse Unaza e Madhe ka kohë që po pritet të bëhet dhe akoma s’kemi parë asnjë gjë. Vetëm thjesht rrugë të shtruara deri në gjysmë.”
“Duhet të fillonte shkarkimi në Unazë të Madhe iher dhe nga më e madhja të fillonte te qendra, po u premtu shumë me një fjalë në fushatë elektorale nga Edi Rama, gjoja si çun tirone mbi të gjitha që s’ia falim këtë gjë dhe të masakrohet shumë në këtë farë feje nuk e dimë. Zoti e boftë mirë kur i thonë.”
Fjorald Zguro: “Jo vetëm qytetarët, por edhe specialistët e çështjeve të trafikut dhe të transportit mendojnë se Bashkia e Tiranës, pikë së pari, duhet t’i kishte dhënë zgjidhje segmentit të Unazës së Madhe dhe më pas këtij sheshi, në mënyrë që të shmangte trafikun e pritshëm në qarkullimin e automjeteve, pikërisht në qendër të Tiranës.”
Artur Sulçe: “Për të zvogëluar trafikun, unë mendoj që do ishte gjë e madhe që të ishte bërë dhe të ishte mbaruar Unaza e Madhe e Tiranës, sepse ky problem, në qoftë se do ta gjykojmë ose të bëjmë një krahasim paralel, është identik si mbikalimi i Zogut të Zi në krahasim me një rrethrrotullim që e bën gjithë bota. Do bllokohet sheshi në dy stadet e punimeve të veta. Unë do konceptoj një gjë, që trafiku brenda sheshit do jetë shumë shumë trafik i rënduar.”
Blendi Gonxhe: “Në qoftë se merremi me fazën e realizimit, për mendimin tim është një kolaps i vërtetë që të tentosh të bllokosh qendrën nga trafiku i automjeteve në një qytet, i cili nuk të ofron as Unazë të vogël, as Unazë të tretë, pra daljet për të shkuar drejt Elbasanit dhe për të shkuar në të gjitha drejtimet e tjera pa kaluar nga qendra, ne nuk kemi kryqëzimet e duhura. Ne nuk na punojnë as semaforët në këtë qytet.”
Mungesa e Unazës së Madhe dhe për një kohë të papërcaktuar do të vijojë të shkaktojë stres dhe trafik për qytetarët dhe njëkohësisht kosto shtesë për mijëra biznese që zhvillojnë aktivitet në kryeqytet dhe në rrethinat e tij./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro