Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka zbutur qëndrimin ndaj Kinës për çështjen e Tiktok. Në intervistën e tij të parë pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë, ai i thotë Fox News se aplikacioni do të “qëndrojë” dhe se produktet e tjera të prodhuara në Kinë mund të përdoren po aq lehtë për spiunazh.
“Ne kemi kaq shumë gjëra të prodhuara në Kinë. Pra, pse nuk e përmendin atë? Gjëja interesante me TikTok është se ju keni të bëni me shumë të rinj, kështu që a është kaq e rëndësishme që Kina të spiunojë mbi të rinjtë, fëmijët e vegjël?”, tha Donald Trump.
Trump nënshkroi të hënën një urdhër ekzekutiv që kërkon të pezullojë me 75 ditë zbatimin e ligjit. Përpara se të merrte detyrën, Presidenti Donald Trump dërgoi një sinjal të qartë se për Kinën, se administrata e tij do të duhej të zbatonte një axhendë agresive sa i takon zhvillimit të inteligjencës artificiale.
Pasi u betua si president i SHBA-së Trump u takua me drejtuesit e disa kompanive kryesore të teknologjisë, për të njoftuar një investim prej 500 miliardë Dollarësh të sektorit privat në infrastrukturën e inteligjencës artificiale, të njohur si ‘Stargate’ që do të përfshijë ndërtimin e qendrave kolosale të të dhënave.
Në një dokument të lëshuar në fillim të këtij muaji ‘OpenAI’ përmendi konkurrencën me Kinën, duke paraqitur propozimet e saj për zgjerimin e rolit udhëheqës të Amerikës në zhvillimin e inteligjencës artificiale.
“Ka rreth 175 miliardë Dollarë në fonde globale që presin të investohen në projekte që lidhen me inteligjecën artificiale. Nëse SHBA-të nuk i thithin ato fonde, ato do të rrjedhin në projekte të mbështetura nga Kina duke forcuar ndikimin global të Partisë Komuniste Kineze”, thuhet në dokument.
Klan News