Sapo përmendet fjala pastërti të gjithë na vijnë ndër mend mamatë tona, duke pastruar me themel shtëpinë, sidomos për rastin e festave. Në prag festash të ftuarit në studion e “Shije Shtëpie” këtë të hënë folën pikërisht për pastrimin e shtëpive.

E kush do të fliste për pastrimin e shtëpisë më mirë se sa Rigers Rusi. Si sipërmarrës në një kompani pastrimi ai dha një shembull ekstrem të një shtëpie të papastër, aq shumë sa stafi i tij nuk mund të hynte brenda për të pastruar për shkak të aromës së keqe.

“Mund të them vetëm një shembull. Nuk është futur dot stafi në shtëpi sepse aq shumë erë vinte. Domethënë ishte një shtëpi që unë nuk e di se si mund të jetonin. Ishte një njeri i vetëm dhe ka qenë kuzhina e tmerrshme, e frikshme, nuk hapje dot as tenxheret sepse ishte një katastrofë e vërtetë. Në fund fare dhe u ankua se gjeti një fije floku”, tha Rigers Rusi.

Shembulli i tij ishte një indicie për diskutim mes të ftuarve në studio, për sa i përket kulturës së pastërtisë në vendin tonë.

“Ne shqiptarët karakterizohemi. Madje jo rrallë dëgjoj miqtë e mi që thonë ‘shkova jashtë shtetit, obobo si ishin tualetet’, ne ndonjëherë çuditemi me ata, kurse tani jemi mësuar nuk na bën më përshtypje. Por, në kulturën tonë ne nuk e kemi ashtu. Ne jemi të kujdesshëm”, u shpreh Edlina Bano./tvklan.al