Ekipet të shqiptare të futbollit do të hyjnë të dielën zyrtarisht në vitin e 70 futbollistik. Është një vit jubilar, por që i gjen klubet me vështirësi të mëdha. Dinamo kampione në fuqi nuk është më ajo e sezonit të shkuar, lojtarë kanë ikur e të tjerë kanë ardhur, por objektivi i sezonit mbetet i njëjtë.
Zlatko Daliç: “Presim një nisje të mirë të kampionatit, por për të mbajtur trofeun më duhen edhe 21 apo 3 lojtar”-thotë trajneri i Dinamos.
Partizani vjen i arnuar këtë edicion pas largimit të pjesë më të madhe të titullarave në përfundim të sezonit të shkuar.
E pamundur për trajnerin Hasan Lika për të përcaktuar objektivat me gjendjen në klub. Më ndryshe është Tirana e cila ka bërë disa blerja dhe që pas sezonit të shkuar ku nuk arrti asgjë, këtë vit do të përpiqet të kthehet në nivele më të larta.
Ka për të luajtur dhe ndeshjen e dytë me Napolin, por që tani trajneri i Vllaznisë Agim Canaj po mendon për sezonin e ardhshëm.
Agim Canaj: “Objektivat e ekipeve të mëdha janë gjithmonë parësore për të marrë pjesë në kupat e Evropës dhe normalisht këto janë dhe objektivat parësore ku unë kam ardhur tek Vllaznia. “
Në listën e ekipeve që pretendojnë Europën e ka shkruar emrin edhe Flamurtari. Më mirë trajneri Kovaçiç thotë me zë të lartë që me futbollistët që ka mund t’ia dalë.
“Duhet të bëj më shumë se sezonin e kaluar dhe synimi ynë janë 4 vendet e para”. Këto kanë qenë fjalët e ish-zëvendës trajnerit të kombëtares.
Jo më pak është edhe Elbasani që ka bërë një merkato të mirë. Presidenti Arben Laze në bashkëpunim me kryetarin e bashkisë po kërkojnë të çojnë të tjerë trofe në qytet. Vendin e vet e kërkon edhe Teuta, që sezonin e fundit rrezikoi rënien nga kategoria.
Sulejman Starova: “Jemi përgatit dhe e përsëris duke u bazuar edhe tek dëshira e pasioni i çunave. Shpresojmë që të nxjerrim ndeshje të mira dhe të konkurrojmë me dinjitet në kampionat.”
Shkumbini edhe këtë sezon do të luftojnë për të qëndruar në Superligë. Një objektiv të tillë e kanë edhe ekipet që sapo janë rikthyer Apolonia, Lushnja e Bylysi.
Gerti Haxhiu: “Duke ditur që ne vijmë nga një kategori inferiore për të qenë objektiv, objektivi minimal është qëndrimi i kategorisë sivjet.”
Sezoni i 70 i futbollit shqiptar vjen me ndryshime, një prej tyre dhe që është tepër i rëndësishëm, do të lejohen vetëm 5 futbollistë të huaj në ekipet e Superligës. Kjo për ti dhënë përparësi lojtarëve që vijnë nga ekipet e moshave. Që në javën e parë vjen një përballje e fortë Vllaznia-Tirana në Loro Boriçi. Ndoshta do të shërbejë si tregues i rrjedhës së sezonit. /tvklan.al
Gazetar: Erion Todhe