Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Edhe pak ditë na ndajnë nga ndeshja e zemrës mes skuadrës së këngëtarëve shqiptarë dhe atyre italianë. Këngëtarët shqiptarë kanë 5 ditë që stërviten nga trajneri Panajot Pano, i cili po punon me shumë seriozitet me 25 këngëtarët, ku një pjesë e mirë e tyre në ditën e parë dhe të dytë të stërvitjes mësojmë se kanë pasur probleme me muskulaturën.

Vrapojnë ngadalë dhe lodhen shpejtë, por shpirti prej artisi i bënë të mbeten energjikë dhe optimistë për ndeshjen e ditës së mërkurë në stadiumin “Qemal Stafa” me kolegët e tyre italianë. Për trajnerin stërvitja e kësaj skuadre të rrallë është edhe argëtim. Në një pjesë të mirë të saj, trajneri qesh dhe argëtohet me lojën e këngëtarëve tanë të cilët më shumë se teknikë i japin ndeshjes batuta dhe humor, i cili duket se nuk do të mungojë edhe në ditën finale duke bërë të qeshi edhe një stadium të tërë.

Deri tani end nuk dihet formacioni me të cilën  do të mbërrijë në Tiranë trajneri italian Giani Morandi, i cili ia lë gjithçka ditës së martë. Ndeshja mes kombëtares së këngëtarëve shqiptarë dhe atyre italianë, do të rezervojë edhe shumë surpriza, do të jetë një ditë spektakël, ku nuk do të mungojë talenti i tyre i parë, kënga. Të gjithë fitimet e kësaj ndeshje do të shkojnë në favor të fëmijëve në nevojë.

Ditën e martë, përfaqësues të dy ekipeve do të vizitojnë në QSUT fëmijët me probleme të zhvillimit mendor. Sot ka pasur një vizitë në qendrën e fëmijëve në Elbasan. Kjo ndeshje futbolli është ideuar nga dyshja e njohur tashmë Vera Grabocka dhe Ardit Gjebrea, si dhe realizohet nën kujdesin e kryetarit të bashkisë Edi Rama dhe Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve./tvklan.al

Gazetare: Mira Kazhani