77-vjeçari, Fatmir Aliaj tregon për emisionin investigativ “Stop” në Tv Klan se ka humbur djalin e tij 21-vjeç nga një aksident në vitin 2014. Një javë pas tragjedisë, në familjen Aliaj shfaqet avokati Ardian Dauti, i cili ishte njoftuar nga nipi i tij që kishte bërë ceremoninë funerale të të ndjerit.
Denoncuesi: Në 21 Prill të vitit 2014, fëmijët prenë ca ullinj të degraduar, i dogjën i bënë qymyr dhe do i çonin t’i shisnin në Fier. Morën një shofer që ishte me licencë. Erdhën i ngarkuan thasët e qymyrit, u nisën djemtë bashkë me të. Ky tani kishte pirë alkool, gjë që unë nuk e kuptova. Pas disa minutash, na vjen haberi: U vranë çunat. Kaloi kjo me dhimbje shumë të madhe, nuk tregohet me gojë.
Gazetari: Nga ky aksident humbi jetën djali juaj 21 vjeç.
Denoncuesi: Ishte i martuar, më la edhe një nip, ishte 67 ditësh nipi. E kaluam me dhembshuri të madhe këtë hall dhe sot jemi shumë të lënduar. Pas 5-6 ditësh, na ofrohet agjencia funerale që morëm për djalin dhe na thotë që “djali përfiton dëmshpërblim dhe unë kam një njeri të njohur”. Më tha “unë bashkëpunoj me kompaninë, do të bëj të pamundurën që ju të merrni dëmshpërblimin e djalit në bazë të ligjit, do të marr nga 120-150 milionë Lekë”.
Kohë më vonë, familja njoftohet se avokati Dauti ka arritur një marrëveshje me kompaninë e sigurimit, duke i kaluar 3 milionë Lekë të vjetra prindërve dhe 4 milionë bashkëshortes së viktimës së aksidentit.
Denoncuesi: Nga kjo shumë, na tha se do të vini në bankë dhe do ju kalohen 3 milionë Lekë dëmshpërblim për varrimin e djalit. Hapëm llogarinë dhe morëm vetëm 3 milionë Lekë të vjetra. Pjesa tjetër, ka marrë edhe nusja 4 milionë të vjetra.
Gazetari: Do të doja të më sqaroje pak pjesën e dëmshpërblimit. Ju sa Lekë keni marrë nga Ardian Dauti në llogarinë tuaj?
Nusja e viktimës, Rejmonda Sulmataj: 4 milionë.
Denoncuesi: Që nga ai moment, ai ka mbyllur telefonin. Nuk më përgjigjet fare. Kemi vajtur tek zyra, na ka bërë presion dhe madje nxorri badigardët të qëllonte djalin. Kam qenë dhe në duart e atij kur kemi vajtur. Presion, duke thënë që “ju kam zgjidhur gjërat, mos më hajdeni më në zyrë”.
Denoncuesi interesohet te kompania e sigurimit dhe kupton se dëmshpërblimi nuk ka qenë 7 milionë Lekë, por 40 milionë Lekë të vjetra. Sipas marrëveshjes, 27 milionë Lekë do t’i jepeshin familjes dhe 13 milionë do t’i mbante avokati.
Kompania e Sigurimit: Që në 2014… mos i keni çuar ndonjë prokurë avokatit?
Denoncuesi: Po i kemi lëshuar.
Kompania e Sigurimit: Çfarë thotë avokati?
Denoncuesi: Ardian Dauti.
Kompania e Sigurimit: Shkoni tek Ardian Dauti! Çfarë të them?!
Denoncuesi: Jo ne duam informacion sa ka kaluar Ardiani në emër të tij.
Vetë Dauti justifikohet duke thënë se pjesën tjetër të parave e ka kaluar në bankë në emrin e djalit që tani është 10 vjec, por në bankë nuk ka asnjë gjurmë të kësaj shume.
Denoncuesi 2: Unë jam Besmiri nga Vlora. Jemi takuar disa herë, kemi pirë kafe, dhëndri i Fatmirit nga Kuta. Shkuam tek kompania dhe morëm një fletë të dëmshpërblimit. 3 milionë Lekë të vjetra i ka marrë Fatmiri. Këtu thotë që nusja dhe djali do të merrnin 37 milionë Lekë të vjetra. Nusja thotë se ka marrë vetëm 4 dhe Lekët e tjera, thotë Ardiani i ka mbyllur në emër të djalit. Tani ku janë këto Lekë që mos të bijmë në qafë edhe ty pa të drejtë…
Avokat Ardian Dauti: Po, Ardiani! Mirë! Si kaluat? Po, po… Tani unë prindërve ja u kam dërguar me bankë. Kurse ajo i ka marrë të gjithë Lekët e djalit.
Denoncuesi 2: Me faturat bankare që ka, thotë se ka marrë 4 milionë Lekë të vjetra.
Avokat Ardian Dauti: Tani nusja i ka marrë lekët, që i kanë takuar kokërr më kokërr. Po absolut. S’mund të mbaj Lekët unë pa firma. Nuk e di, ka marrë pjesën që ka pas për të marrë sipas marrëveshjes që kemi pasur.
Nusja e viktimës, Rejmonda Sulmataj: Unë nuk i kam tërhequr 24 milionë Lekë që ti më ke thënë janë në bankë lekët e çunit. 20 milionët e tjera më kanë thënë që nuk ke më Lekë. Jam habitur pak, edhe jam trembur normal, sepse ato jane Lekët e djalit. Unë po sakrifikoj shumë për këtë fëmijë dhe s’mund t’i mbajë kush këto Lekë.
Avokat Ardian Dauti: Që i keni në bankë duhet t’i kesh Lekët në bankë! Duhet t’i kontrollosh, por ti je jashtë. Po patjetër! Pa diskutim!
Sot e kësaj dite, nuk ka asnjë llogari bankare në asnjë sistem të një banke të nivelit të dytë që i kalojnë milionë Lekë.
Nusja e viktimës, Rejmonda Sulmataj: Unë nuk i kam marrë fare Lekë sa thotë ai. Nuk i kam marrë. Kam marrë vetëm 4 milionë në Kamëz, i kam tërhequr në Kamëz.
Avokat Dauti justifikohet që pjesën tjetër të lekëve e ka kaluar në bankë në emrin e djalit të të ndjerit që tani është 10 vjeç, por që deri më sot nuk ka asnjë gjurmë në bankë të kësaj shume.
Avokat Ardian Dauti: Tani unë prindërve jua kam dërguar me bankë. Kurse ajo i ka marrë të gjithë Lekët e djalit. Unë të siguroj, që s’mund të mbaj Lekët e tjetrit. S’mund të bëj avokatin, duke vjedhur Lekët e dynjasë, dhe unë pa shkarkuar Lekët, nuk i shkarkoj dot me firmë, ose do t’ia nis me bankë dhe jo të firmosur nga palët.
Denoncuesi 2: A ke dokument të ma nisësh të kaloj prapë tek zyra ta marr?
Avokat Ardian Dauti: Edhe një herë, unë dokumentat ia jap vetëm klientes, askujt tjetër.
Denoncuesi 2: Të vijë klientja.
Avokat Ardian Dauti: Patjetër! Klientes pa diskutim. Të vijë nëna e djalit. Absolutisht po.
/tvklan.al