Më 20 Mars, emisioni Stop në Tv Klan denoncoi situatën e konviktit në fshatin Tamarë të Kelmendit në Malësi të Madhe, ku janë të punësuar 8 punonjës por nuk ka asnjë nxënës.
Edhe pse nuk ka nxënës konviktorë, sërish Bashkia e Malësisë së Madhe ka investuar në këtë konvikt plot 21 milionë Lekë të vjetra. Por kushtet aty ishin skandaloze.
“Stop” i është rikthyer këtij problemi dhe gazetarja takoi zv/kryetarin e Bashkisë së Malësisë së Madhe, i cili tha se do të merren të gjitha masat, pa permendur asgjë konkrete.
“Të gjitha masat do të merren konform programit të buxhetit 2024. Konvikti nuk do mbyllet, qoftë edhe 1 nxënës të jetë aty. Rojet janë të ruajnë objektin dhe nxënësit. Sikur edhe 1 nxënësi, ne do i shërbejmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Do i shërbejmë me kushtet siç janë parashikuar në buxhetin e 2024”, tha ai pa specifikuar konkretisht cilat masa.
Ndërsa kryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj, kërkoi shkresë zyrtare nga gazetarja për të marrë informacion dhe thirri përforcime sigurie, për t’u “mbrojtur” nga pyetjet e gazetares.
“Bëni një kërkesë edhe të kthehet në mënyrë institucionale. Është çështje institucionale. Drejtohu institucionalisht”, tha kryetari.
/tvklan.al