Në 16 Dhjetor 2023, Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër shpalli fajtor Bardhok Pulajn, ish-drejtor i DRAP, drejtor shkolle në Gjadër për veprën penale “shpërdorim detyre”. Por Pulaj vijoi punën si drejtor në shkollë, derisa këtë çështje e ngriti emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan.
Gazetarja: Ju nuk keni asnjë lloj dijenie për procesin gjyqësor?
Juristja DRAP Lezhë: Asnjë lloj dijenie dhe as nuk jemi palë. DRAP-i nuk është palë.
Gazetarja: Në kushtet kur ne ju vëmë në dijeni që ka një vendim gjyqësor për këtë drejtues, a duhet të kishim pezullim?
Juristja DRAP Lezhë: Atëherë, në qoftë se në institucion, te zyra e protokollit, po flas, vjen nga gjykata apo një shtetas, patjetër, që DRAP-i duhet të vijojë pastaj me çfarë parashikon legjislacioni në fuqi.
Gazetarja: Çfarë parashikon në këto raste?
Juristja DRAP Lezhë: Eshtë ligji 69 i ndryshuar, ka vendimarrje të kësaj natyre dhe është marrë një masë sigurimi, vijohet me pezullimin e marrëdhënieve financiare të këtij shtetasi dhe të detyrës deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë nga ana e gjykatës.
Emisioni “Stop” shkoi në DRAP Lezhë për të takuar drejtuesin Hasan Muça, por arriti të kontaktonte me të vetëm përmes celularit.
Hasan Muça, drejtor DRAP Lezhë: Alo! Mirë! Si kalove ti? Tani unë jam në Kukës, se kam analizën.
Gazetarja: Kur do mund të lëmë një takim, të vij unë dhe të kem nderin të takohemi nga afër.
Hasan Muça, drejtor DRAP Lezhë: Ju lutem më bëni kërkesën, sipas ligjit për të drejtën e informimit dhe unë do ju kthej përgjigje! Domenikë! Tani po futem në takim!
Gazetarja: Jo, s’ka kërkesë.
“Stop” u rikthye sërish në DRAP Lezhë dhe takoi drejtuesin Hasan Muça. Ky i fundit tha se ka marrë vendimin dhe do vijojë me pezullimin e Bardhok Pulajt, si dhe për të ribërë konkursin për drejtorin e shkollës Pashko Vasa”.
Gazetarja: Duhet thënë që jemi shumë të lumtur që më në fund po takohemi drejtor.
Hasan Muça: Po është ajo shprehja, mali me malin nuk puqen, por njeriu me njeriun, puqen.
Gazetarja: Arsyeja pse ne jemi këtu, ose më saktë, besoj që ju e keni ndjekur dhe nga transmetimi i emisionit “Stop”, lidhet me drejtorin e shkollës në Gjadër, Bardhok Pulaj.
Hasan Muça: Dua të ju siguroj që në momentin e parë që kemi marrë informacion nga ana juaj, jemi drejtuar me shkresë zyrtare Gjykatës së Shkodrës për të na vënë në dispozicion vendimin në lidhje me këtë shtetas. Na ka kthyer përgjigje që dosja do të shkojë në zyrën e gjyqtarit për arsyetim dhe sot, në këto momente që ne flasim, më ka ardhur dispozitimi i vendimit. Nisur nga kjo, kam njoftuar Bardhok Pulajn që nesër të paraqitet pranë institucionit tonë në mnëyrë që ne të ndjekim veprimet tona ligjore.
Gazetarja: Cili do të jetë veprimi ligjor?
Hasan Muça: Besoj, në bazë të ligjit, do të jetë pezullimi nga detyra deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
Gazetarja: Ndërkohë, kemi folur dhe në lidhje me një konkurs për drejtuesen e shkollës “Pashko Vasa” në Shkodër, ku drejtuesja aktuale ka fituar 115 pikë, ndërkohë që i gjithë konkursi nëse do të ishte ekselent do të merrte maksimumi 50 pikë, çfarë është kjo?
Hasan Muça: Unë jam në tentativa me ZVA-në e Shkodrës në mënyrë që të çoj deri në fund këtë vendim gjykate dhe për të zhbërë atë që është bërë këtu dhe 4 vite më para.
Gazetarja: Pra, do të kemi një rikonkurs për atë pozicion drejtues?
Hasan Muça: Aty do të bëhet vlerësimi i dosjeve me ato kandidatë që kanë qenë dhe në fund, rezultati do të jetë mbi bazën e pikëve që do të paraqiten dhe unë do të vendos se cili do të jetë drejtuesi i atij institucioni mbi bazën e intervistës. Mua më përket pjesa që çfarë do të bëj në përputhje me ligjin.
/tvklan.al