Në pjesën e dytë të emisionit Stop në Tv Klan vijon trajtimi i çështjes së zaptimit të pronës së familjes Heta në rrugën e Bigdanëve në Tiranë, nga ana e Eduard Kelmendit.
“U bë bashkëpronar dhe ndërkohë kaloi edhe dokumentacionin nga firma G2 në emër të tij te noteri Dritan Gjanaj”, thotë denoncuesja.
Eduard Kelmendit i duhej një deklaratë tjetër për të zbardhur lejen e ndërtimit, ndaj te noteri Dritan Gjana u hartua një deklaratë, sipas të cilës firma G2 i kalonte atributet e marrëveshjes së 2014-ës Eduard Kelmendit. Edhe ky akt ishte i paligjshëm, pasi marrëveshja nuk ishte realizuar.
Noteri Dritan Gjana–Tani, se çfarë veprime bën Gëzim Papinova, G2 me atë Eduard Kelmendin. Në rast se Gëzimi, e para nuk mund të shesi gjë njëherë, se s’ka çfarë të shesi, s’ka…
Gazetari- S’ka, sepse e ka hequr dorë nga akt-marrëveshja, që kishte bërë me Hetat në 2014-ën.
Ndaj veprimeve të INUK Tiranë, që prishi dyqanin pa vendim, janë bërë 6 kallzime në polici, njëri prej të cilëve, po hetohet nga prokurorja Silvana Lule, e cila nga 2018-ta deri më sot vetëm e ka zvarritur hetimin.
“Kam bërë 6 kallëzime në Komisariatin Nr.3. Në kallëzimin e fundit ku m’u shkatërrua dhe prona komisariati ja dërgoi Prokurorisë dhe Prokuroria ka që nga 2018, prokurorja Silvana Lule nuk më thërret mua. Unë kam kallëzuar Eduard Kelmendin dhe 3 punonjësit e IMT pasi nuk kishin asnjë vendim për shembjen e kësaj ndërtese. Çështja shkon në gjykatën penale, urdhëron Prokurorinë që kjo çështje duhet të hetohet se si është ligji në Bashkinë e Tiranës, si veprohet në këto raste. Prokurorja e ankimon, shkon në Gjykatë të Apelit, vazhdon atje me muaj. Prokurorja tërheq ankimimin. Nga kjo shkon përsëri në gjykatën e dhomës penale. Atje jepet urdhër prapë për hetim të çështjes. Pas kaq kohësh asgjë, mua nuk më thërrasin, prokurorja nuk më thërret asnjëherë. Pallati u ndërtua, u shfrytëzua, po shfrytëzohet ka bërë veprimet e veta, lulishte ma ka bërë dyqanin. Unë jam pa asnjë të ardhur. Unë nuk njihem as nga G2, jam midis të dy firmave”, vijon denoncimi i zonjës Heta.
Nga ana tjetër, Eduard Kelmendi i është drejtuar gjykatës me një kërkesë penale kundër Filda Hetës dhe emisionit Stop për publikimin e këtyre fakteve dhe provave. Gjyqtarja Marinela Osmani, shfaqet dukshëm e njëanshme në këtë kërkesë, duke favorizuar hapur Eduard Kelmendin.
Ajo ka lejuar avokaten e Kelmendit të shkelë etikën në proces, duke shfaqur afërsi me të.
“Pala i është drejtuar gjykatës me kërkesë penale për të akuzuar disa nga drejtuesit e emisionit Stop, gazetarë etj. por në kërkesën që i është drejtuar gjykatës nuk ka paraqitur gjeneralitetet e sakta të palëve dhe gjykata e ka favorizuar në mënyrë të hapur duke i lënë të meta. Por këtu nuk jemi në një proces civil që mund të lihen të meta sipas nenit 154 të Kodit të Procedurës Civile, por jemi në një proces penal që ligji penal e ka përcaktuar në mënyrë të qartë mënyrën se si duhet të paraqitet kjo kërkesë. Pra në rastin aktual kjo është favorizuar. Kur pala i drejtohet vetë gjykatës duhet të paraqesi aktet bashkëlidhur, njëkohësisht dhe gjeneralitetet e palës së akuzuar”, thotë avokati Arben Llangozi.
Gjyqtarja Osmani është vetë një precedent në sistemin e drejtësisë, pasi ajo e ka kaluar Vettingun, ndërsa i shoqi, ish-prokurori Gentjan Osmani, ka ngelur në klasë për mosjustifikim të parave dhe ka dalë nga sistemi.
/tvklan.al