Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Në sekretarinë e Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë, vetëm dy orë pas afishimit të listave, ku renditen pikët e 2242 kandidatëve, të cilët tre ditë më parë iu nënshtruan testin për t’u pranuar në degën e Juridikut ishin me dhjetëra studentë, që depozitonin ankesat, pasi ishin të pakënaqur nga vlerësimi që ju është bërë.

Studentja 1:- “Ky është fakultet Drejtësie, por në të vërtetë nuk është kështu. Pasi këtu po bëhet një korrupsion i gjallë. Unë kam mbaruar me mesatare 8.5 dhe kam 62 pikë nga testi i përgjithshëm dhe gjithsej kam marrë 97 pikë, gjë që është e pamundur pasi unë i kam bërë të gjitha dhe jam shumë e sigurt për këtë, nuk ka njeri që të ma mohojë të drejtën time”.

Gazetarja:- Mendoni se ju është bërë padrejtësi?

Studentja 2:- “Po, me ato që verifikova unë nga testi, se ishin përgjigjet këtu, e shumta 10 pyetje mendoja të kisha bërë gabim, këtu siç duket ka manipulime të mëdha”.

Prindi:- “Në momentet aktuale jam për të bërë ankesë. Goca ka pasur notën mesatare 9.5 dhe merr nga nota mesatare 81 pikë. Pas konkurrimit sot dolën rezultatet, por me një drejtim burokratik për mendimin tonë, të gjithë që kemi pritur, sepse duhej të dilnin dje dhe pas daljes morëm pikët me gjithë mesataren e notës 176pikë, ku thuhet se duhet të jenë mbi 200 pikë”.

Në sekretarinë e këtij fakulteti vetëm dy orë pasi ishin afishuar listat, ishin depozituar

Sekretarja:- “Numri i ankesave të ish-konkurruesve është 25 vetë. Ky nuk është një numër i madh, se nga 2242 konkurrentë për 25 vetë deri në këtë moment s’më duket shumë”.

Sot dhe nesër të gjithë konkurrentët që mendojnë se u është bërë padrejtësi në vlerësim, kanë të drejtë të ankohen. Pasi të jenë depozituar të gjitha ankesat një komision rivlerësimi do të rishikojë edhe njëherë testet e tyre. Në fakultetin e Drejtësisë kanë konkurruar 2242 studentë, nga të cilët vetëm 133 do të kenë fatin të ulen në auditorët e këtij fakulteti, për të vazhduar degën e parë të Juridikut./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka