Një grup prej më shumë se 30 përfaqësues nga administratat shtetërore, shoqëria civile, mediat dhe biznesi, pjesëtarë të shkollës Politikës Shqiptare morën pjesë në universitetin e verës në Strasburg, një iniciativë e Këshillit të Europës që kësaj here i kushtoi diskutimeve mbi demokracinë.
Brezi i ri i këtyre studentëve synon që të kontribuojë në politikë, komunitet dhe fusha të ndryshme, ku ushtrojnë aktivitetin e tyre në të mirë të respektimit të demokracisë, shtetit ligjor dhe zgjedhjeve të lira.
Klodian Rjepaj: “Ekziston në vazhdimësi mundësia e krijimit të një rrejti të shkollave politike dhe të këtyre liderëve të rinj që do thosha unë në Europën Juglindore për të bërë të mundur një të ardhme më të mirë për të gjithë brezat. Kjo është një iniciativë e cila besoj do të vazhdojë me sa kam informacion dhe do thosha është një iniciativë për tu lavdëruar.”
Edlira Papavangjeli: “Shkolla e politikës shqiptare ka si qëllim të saj ngritjen e një brezi të ri liderash të cilët sjellin mendësi dhe vizione të reja atje ku punojnë dhe ku kanë aktivitetin e tyre. Mendoj se duke marrë pjesë në shkollën e politikës, do të konsolidoj jo vetëm dijet e mia, por gjithashtu nëpërmjet një rrjeti bashkëpunëtorësh të cilët operojnë në fusha të ndryshme të jetës, do të mund të sjellim një kontribut sado të vogël për nj demokraci më të konsoliduar në Shqipëri.”
Për një javë rresht studentët e shkollës Politike Shqiptare shkëmbyen eksperiencë me kolegë nga 16 vende të Europës Juglindore. Sekretari i përgjithshëm i KE Terry Davis, shprehu superlativa për nivelin e përfaqësimit të shkollës Politike Shqiptare dhe vlerësoi angazhimin e pjesëmarrësve nga Shqipëria për të dytin vit radhazi në universitetin e verës.
Terry Davis: “E vlerësoj shumë këtë trajnim, pasi sa më të trajnuar të jenë kandidatët që marrin pjesë në zgjedhje dhe në formimin e qeverisë aq më i emancipuar bëhet shoqëria dhe përzgjedhja e njerëzve që do të drejtojnë.”
Shkolla Politike Shqiptare organizon sivjet të dytin sezon të trajnimit të atyre që supozohet që të jenë jo thjesht politikanët e rinj të së nesërmes. Por në radhë të parë të qytetarëve që kërkojnë të emancipojnë shoqërinë nëpërmjet kontributit të tyre si në politikë, vendimmarrje, por dhe në aktivitetin e përditshëm./tvklan.al
Gazetar: Arben Vata