Studentët, pedagogët, dekanët dhe stafet akademike të fakulteteve të Universitetit të Tiranës kanë hedhur rreth 1 mijë firma në një peticion drejtuar Ministrisë së Arsimit lidhur me diplomat e nivelit të parë.
Peticioni kundërshton formën e diplomës dhe kërkon respektimin e ligjit, i cili detyron që formatin e këtij dokumenti ta përcaktojë stafi akademik.
Ardit Rada: “Dhe kemi bërë gati një peticion kundër Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, zotit Fatos Beja, dhe arsyeja është sepse ai ka shkelur në mënyrën më flagrante të mundshme ligjin e arsimit të lartë nr.9741, neni 31, pika 4 ku thotë që përmbajtja dhe forma e diplomës dhe suplemente të saj është kompetencë e senateve akademike në bazë të udhëzimit të Ministrit të Arsimit dhe të Shkencave”.
Diplomat e nivelit të parë janë bërë objekt i bojkotimit të mësimit edhe për 1700 studentët e degëve profesionale tre-vjeçare të universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
Gjatë një proteste të zhvilluar përpara universitet ata kërkuan që të pajisen me diploma dhe jo me dokumente të lëshuara nga Ministria e Arsimit, të cilat i konsideruan si certifikata.
Studentët kanë njoftuar se ditën e premte do të mbajnë një tubim paqësor përpara Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani