Këtë të martë protesta e studentëve vijoi përmes një marshimi që nisi nga Kryeministria. Ata ndaluan pak minuta përpara ambasadës amerikane.

Për të vijuar drejt Fakultetit Ekonomik.Marshuan përpara Universitetit Politeknik të Tiranës. Qëndruan disa çaste përpara godinës së Presidencës.

Për t’u rikthyer në Kryeministri, aty ku përmbyllën protestën. Edhe pse më të paktë në numër, ata këmbëngulin në realizimin e kërkesave.

Po teksa protestohej në shesh, një numër i pakët i studentëve ju drejtuan auditoreve për të zhvilluar mësimin.

Ndërkohë në fakultete po përpilohen listat studentore, që përmbajnë të dhënat e mesatares në bazë të të cilave do të përcaktohen edhe tarifat.

“Ne tani jemi duke mbledhur të gjitha të dhënat, statistikat për të nxjerrë të gjitha efektet financiare që kanë sjellë VKM-të deri në fund të vitit. Ndaj nuk kemi marrë nga asnjë student asnjë Lek”

, shprehet administratorja e Fakultetit të Histori-Filologjisë.

“Do të dalin vendimet e organeve kolegjiale pastaj do të ndërmarrim pagesën, bëjmë faturat për arkëtim dhe të bëjnë pagësën studentët. Kemi marrë listat nga sekretaritë mësimore dhe po punohet mbi ato lista se do të bëhet diferencimi për studentët që e kanë mesataren nga 9 deri 10 për ciklin e parë të studimeve”

, shprehet administratorja e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit.

Studentët kanë njoftuar se protesta do të vijojë edhe të mërkurën përpara Kryeministrisë.

Tv Klan