Shumë nga qeveritarët organizojnë festa e përshëndesin në këtë formë të rinjtë që studiojnë jashtë ndërkohë që nuk reagojnë për brezin tjetër që pret të shkollohet në Itali. Këtë e vënë në dukje studentët të cilëve iu është refuzuar viza nga kjo amabasadë e që prej një jave protestojnë dyerve të saj. Për të hedhur poshtë atë çka Ambasada Italiane pretendon, thirrjet e të rinjve në këtë tubim janë bërë në dy gjuhë, por reagim nga ambasada nuk ka.
“ Jemi lidhur me zinxhir, na ka lidhur ambasada d.m.th. në momentin më kryesor të jetës që ne duam të marrim kulturë dhe dije evropiane ajo po na pengon, po na refuzon të drejtën e studimit për jashtë shteti dhe ky është imazhi ynë duke u lidhur me zinxhirë ndoshta do të dalë dikush që do të na i hapë rrugët dhe do të rrimë këtu derisa të kemi një përgjigje pozitive nga ambasada.”
“Sot një javë ne kemi marrë kthimin d.m.th., pasaportën pa vizë ndërkohë kemi shkuar tek Avokati i Popullit dhe ai na thotë që nuk mban përgjegjësi. Ndërsa tani presim që kryeministri shqiptar të mos shkojë nëpër party me studentë, të cilët e kanë marrë këtë vizë vite më parë, por të kthejë sytë nga ne që kemi një javë në protestë dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje.”
Lëvizja “MJAFT!” i është bashkëngjitur këtij tubimi, madje ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Jashtme. Kjo e fundit ka zhvilluar takime me ambasadën italiane prej së cilës pret dhe një reflektim. Nuk ka shumë kohë, pjesa më e madhe e të rinjve që kanë aplikuar e kanë marrë vizë janë nisur një ditë më parë. Duket e vështirë pasi në pasaportë të rinjvë iu është vendosur një shënim që për tre muaj nuk mund të lëvizin apo marrin vizë në asnjë ambasadë. /tvklan.al